Izrael-Palestinë

Si po ndikon lufta Izrael-Palestinë në sport: Ndeshjet e suspenduara, lojtarët e ngujuar dhe gjithçka tjetër

Sporti është një fushë që po vuan pasojat nga situata aktuale mes Izraelit dhe Palestinës. Mijëra persona po paguajnë me jetë konfliktin mes dy shteteve. Pas sulmit nga grupi militant Hamas, një konflikt që ka vazhduar prej vitesh, ka bërë që lufta të shpërthejë dhe të fillojë një kapitull të ri. Tensionet po rriten mes dy palëve dhe e gjithë bota po përcjell me frikë atë që po ndodh në qytetin e Gazës.

EUROLIGA PEZULLON DY NDESHJE BASKETBOLLI

Sporti tashmë ka vuajtur pasojat e para të luftës midis Izraelit dhe Palestinës. Organizata e parë e madhe që bëri një lëvizje në drejtim të zhvillimeve të fundit, ishte Euroliga. Me një komunikim zyrtar, kjo organizatë njoftoi shtyrjen e dy ndeshjeve të basketbollit që do të zhvilloheshin në ditët në vijim.

Ndeshja në mes Hapoel Shlomo Tel Avivit dhe Wolves Vinius, e cila duhej të luhej të mërkurën e ardhshme, është në pritje të një date të re. Sa i përket ndeshjes së Euroligës ndërmjet Emporio Armani Milan dhe Maccabi Tel Aviv të enjten e ardhshme, edhe ajo gjithashtu është pezulluar për shkak të situatës së luftës në Izrael.

UEFA NDJEK HAPAT E EUROLIGËS DHE PEZULLON TË GJITHA NDESHJET TË LIDHURA ME IZRAELIN

Disa orë pas njoftimit zyrtar nga Euroliga, UEFA ndoqi shembullin dhe njoftoi shtyrjen e të gjitha ndeshjeve që përfshinin kombëtaren e Izraelit dhe të gjitha kategoritë e grupmoshave të tyre.

Ndeshja mes Izraelit dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikueset për Euro 2024, e cila do të luhej të enjten e kësaj jave, është në pritje të një date të re. Ndeshja mes Izraelit dhe Kosovës të dielën e ardhshme, gjithashtu e vlefshme për kualifikueset për Euro 2024, nuk është marrë ende ndonjë vendim, por mund të shtyhet në orët në vijim duke pasur parasysh se Izraeli ka anuluar rezervimin e hotelit që do qëndronin në Prishtinë.

LOJTARË TË NGUJUAR DHE TË VRARË NGA KONFLIKTI IZRAELITO-PALESTINEZ

Josep Maria Berrocal, ndihmës trajner i Maccabi Tel Aviv dhe Jose Rodriguez, futbollist i të njëjtit klub izraelit, të dy të ngujuar në një vend nga konflikti i luftës midis dy vendeve në Lindjen e Mesme.

Berrocal u shpreh: “Të gjitha shtëpitë e mëdha kanë një dhomë strehimi për refugjatë, ku ne flemë. Nëse bie alarmi, keni një minutë e gjysmë për të hyrë në dhomë. Është tronditëse të dëgjosh raketat”.

Josep María Berrocal.

“Më e trishtueshme është të dëgjosh pyetjet që bëjnë fëmijët e mi, të frikësuar nga konflikti të cilët vazhdimisht më thonë: ‘Babi, a do të ketë më të shtëna sot? Ku të shkojmë do të ketë edhe atje luftë?’”.

Krahas dëshmive të lojtarëve, sportistëve dhe trajnerëve që janë ngujuar në vend nga konflikti i luftës, ka edhe një rast që ka tronditur të gjithë.

Është rasti i Lior Assulin. Ish-futbollisti ishte duke festuar ditëlindjen e tij të 43-të në një zonë të Izraelit jugor kur grupi terrorist Hamas sulmoi qendrën tregtare ku ai po qëndronte, duke vrarë shumë njerëz, përfshirë edhe atë. Lajmin fatal e ka konfirmuar Hapoel Tel Aviv, klubi ku ka luajtur.