Viktor Orban

Si Orban po ia merr Evropës “kalanë nga brenda”

Vendimi i Komisionit Evropian për të zhbllokuar 10.2 miliardë euro fonde kohezioni për Hungarinë, në mënyrë që kryeministri Viktor Orbán të mos pengojë negociatat e anëtarësimit të Ukrainës, po shkakton zhgënjim në rritje në Bruksel dhe më gjerë, shkruan “Politico”.

Disa e kanë akuzuar Komisionin se për shkak të kësaj lëvizjeje ai nuk është më ‘mbrojtësi’ i traktateve të BE-së, por është bërë ‘përkëdhelësi i vendeve anëtare’, siç tha parlamentarja evropiane Sophie in ‘t Veld . Kolegu i saj nga të Gjelbrit, Daniel Freund, e quajti atë strategji të paqëndrueshme dhe theksoi se Orbán do të ketë ende 72 mundësi për të vënë veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Tani ai e di se cili është çmimi i tij dhe nuk do ta ulë atë. Një kritikë e tillë është e kuptueshme, si dhe shqetësimi se shantazhi i Orbanit po del jashtë kontrollit. Kryeministri hungarez është njeriu i Presidentit Vladimir Putin brenda BE-së, i cili përdor fondet evropiane për të konsoliduar më tej pushtetin e tij.

Anëtarësimi i Ukrainës

Megjithatë, përpjekjet për të përmirësuar situatën duke ngritur një padi kundër Komisionit Evropian dhe duke kërkuar që Hungarisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin Evropian janë të kota dhe aspak realiste, të paktën në plan afatshkurtër. Dhënia e “dritës jeshile” për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE ishte e nevojshme, veçanërisht pasi Kievi po has gjithnjë e më shumë vështirësi për ta mbajtur koalicionin ndërkombëtar që e mbështet atë të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj kauzës. Vendimi ishte unanim dhe gjithçka tregonte se Orbán ishte gati të prishte gjithçka. Por Freund dhe kolegët e tij kanë të drejtë për një gjë: Hungaria mund të jetë në gjendje të parandalojë pranimin e Ukrainës. Komisioni sapo ka filluar procesin e ‘vettingut’ të legjislacionit ukrainas, që zakonisht zgjat një deri në dy vjet, pas të cilit BE-ja do të duhet të miratojë së bashku qëndrimin e saj të përbashkët negociues. Dhe për të mbyllur secilin nga 35 kapitujt e negociatave, do të kërkohet pëlqimi unanim i të gjitha shteteve anëtare.

“Përçahet” BE, shantazhi i Viktor Orban shqetëson

“Përjashtimi” i Hungarisë

Edhe nëse përjashtojmë mundësinë që shtetet e tjera anëtare të kundërshtojnë përparimin e Ukrainës në negociata, ideja që BE-ja mund të anashkalojë Hungarinë dhe t’i heqë të drejtën e votës është thjesht fantazi e pastër. Nëse kjo do të arrihej duke aktivizuar nenin 7, do të kërkonte unanimitetin e të gjitha vendeve të tjera anëtare të BE-së, duke përfshirë Sllovakinë e qeverisur nga kryeministri kontrovers Robert Fico, Rumaninë me një koalicion qeverisës reaksionar, si dhe të gjithë të tjerët që me të drejtë frikësohen se mund të jenë “të radhës”. Asnjë nga këto nuk e justifikon Orbanin apo PiS. Megjithatë, ai sugjeron se sfidat aktuale të Evropës nuk mund të shikohen vetëm përmes syzeve teknokratike. Në vend të kësaj, ajo që mund të ndihmojë është që Brukseli dhe shtetet anëtare të bëhen më të shkathët kur bëhet fjalë për vendet problematike, në vend që të luhaten.

Kompromisi me Orban

Vërtetë, pranimi i Ukrainës do të kërkojë një sërë vendimesh unanime. Megjithatë, pjesëmarrja në shumë aspekte të projektit evropian – nga Bashkëpunimi i Strukturuar i Përhershëm (PESCO) te programi Erasmus dhe tregu i vetëm – mund të shtrihet në Ukrainë përpara se vendi të anëtarësohet zyrtarisht në bllok. Nëse e gjithë BE-ja, me përjashtim të Hungarisë, është e vendosur të ndihmojë Ukrainën të mbijetojë në tre vitet e ardhshme, nuk ka asnjë arsye për një raund tjetër grindjeje me Budapestin në takimin e ardhshëm të Këshillit mbi paketën e ndihmës prej 50 miliardë eurosh të Ukrainës. 26 qeveri, me mbështetjen e Komisionit, mund ta arrinin këtë përmes një marrëveshjeje ndërqeveritare pa mbështetjen e Hungarisë – ngjashëm me Mekanizmin Evropian të Stabilitetit. Më shumë se e ardhmja e vetë Ukrainës, rëndësia e BE-së varet nga sa mirë mund të përshtatet me realitetin e qeverive si ajo e Hungarisë. Edhe nëse kompromisi me Orbanin ka kufijtë e tij, thjesht mbështetja në librin e rregullave gjyqësore, aq i adhuruar nga parlamentarët evropianë, nuk do ta çojë askund Evropën.