Ardian Kastrati

“Si në Gaza” – Deputeti i PDK-së pas operimit në QKUK tregon kushtet e mjerueshme në spitale, e drejton gishtin kah Qeveria Kurti

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati së fundmi u operua në QKUK, e i njëjti ka kritikuar qeverinë Kurti për kushtet e mjerueshme në spital.

“Disa aspekte infrastrukturore dhe të pajisjeve janë të krahasueshme me spitalet në frontet e luftës në Gaza apo në Ukrainë”, ka shkruar ai ndër të tjera

Postimi i tij i plotë:
Miq,

pas qëndrimit në QKUK përfundova me sukses edhe operimin e radhës.

Për operimin e dytë të suksesshëm dua ta falenderoj Dr. Pleurat Sejdiun dhe gjithë stafin mjekësor në klinikiën ortopedike.

Stafi mjekësor aty është në nivele të larta të profesionalizmit dhe përgjegjësisë, mirëpo ata punojnë me paga të ulëta dhe në kushte të mjerueshme.

Disa aspekte infrastrukturore dhe të pajisjeve janë të krahasueshme me spitalet në frontet e luftës në Gaza apo në Ukrainë.

Për këto dhe arsye tjera mjekët dhe infermierët po ikin nga Kosova.

Nëse regjimi i Kurtit thotë se pas 20 viteve “shkatërrim” nuk mund të rregullohen gjërat për katër vite, atëherë pyetjet që shtrohen janë:

1. Si ka mundësi që për katër vite nuk kanë blerë së paku çarshafë për shtretër?

2. Pse nuk ka pajisje elementare higjienike nëpër banjo dhe pse ato kundërmojnë?

3. Si ka mundësi për katër vite mos të ndërrohen dritaret e thyera nëpër dhoma të pacientëve?

4. Pse nuk ka poça elektrik në disa dhoma apo koridore?

5. Pse nuk ndërrohen shtretërit e thyer e jofunksional?

6. Pse nuk ka hyrje për invalidët apo posa të operuarit në disa klinika?

Etj, etj, etj …

Pra, po flasim për gjëra elementare të cilat në emër të “ndryshimit” që këta kanë premtuar do mund të bëheshin për katër ditë.

Miq, shihemi pas rikuperimit disajavor!