Si mburrej Gërvalla me “idenë ekskluzive” të dy kryetarëve që ia rrëzoi KQZ-ja

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci u zgjodhën të dy kryetarë të partisë Guxo më 7 shtator. Secili nga ta u nxitua të flasë me mburrje për këtë ide që u duk befasuese, sidomos për një parti me shumë pak anëtarë.

Komisioni Qendror Zgjedhor e ka rrëzuar idenë e dy kryetarëve në krye të Guxo-së, partisë së themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, në një raport të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të këtij organi.

Ditën kur u zgjodh kryetar i Guxo-s, Peci tha se ideja e dy kryetarëve kishte ardhur “pas një debati bukur të gjerë”, por Gërvalla kishte thënë më pas se ajo ishte ide “ekskluzivisht” e saj, shkruan Express.

Shefja e diplomacisë kosovare, Gërvalla, kishte treguar se si fillimisht anëtarët e partisë kishin hezituar ta pranonin propozimin – që thotë se ka qenë i saj për dy kryetarë të partisë.

“Ky propozim ka qenë ekskluzivisht i imi. Të gjithë kolegëve që ua kam propozuar fillimisht, duke përfshirë edhe Fatonin, kanë hezituar. Që nga zgjedhja e presidentes unë e kam kryesuar partinë deri në kuvendin zgjedhor. Për gjithë kënd ka qenë e qartë që një prej kandidaturave do të jetë e imja, nuk kemi pasur proces të kontestimit të kandidaturës sime”, kishte thënë ajo.

Gërvalla thoshte se partia e re kërkon shumë punë dhe shumë angazhim, andaj shprehej se punët e liderit do t’i ndanin bashkë me Pecin.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim e KQZ-së ka gjetur një varg shkeljesh në kuvendin zgjedhor të partisë Guxo, të datës 7 shtator. Kryesorja ishte ajo për votimin dhe zgjedhjen e dy kryetarëve. Sipas monitoruesve, kjo çështje ishte shtruar si shqetësim edhe nga disa pjesëmarrës.

Sipas raportit, më 13 shtator, në KQZ ishin dorëzuar materialet e kuvendit zgjedhor të Guxo-s, ndërsa te pjesa e njoftimit të ndryshimeve, në pjesën ku duhet të nënshkruhet kryetari, nënshkrimin e kishte hedhur Faton Peci. 

“Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike Guxo, votimi i dy Kryetarëve ishte më shumë veprim politik dhe se në arenën politike Guxo do të përfaqësohet nga dy Kryetarë, Donika Gërvalla Schwarz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht Guxo përfaqësohet vetëm nga Faton Peci” thuhet në raport. 

“Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjistrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo rregull në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar” thuhet në raport mbi punën e Kuvendit Zgjedhor të Partisë Politike GUXO, i datës 14 shtator 2022″, thuhet tutje në raport.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim e KQZ-së e ka konsideruar të pavlefshëm zgjedhjen e dy kryetarëve në krye të partisë Guxo, dhe i ka rekomanduar kësaj partie që brenda 45 ditësh të sigurojë zgjedhjen e një kryetari të vetëm të partisë.