Shqipëri

Si komentohet largimi i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë nga mediat ndërkombëtare

Ministri i punëve të brendshme, Fatmir Xhafaj, dha sot dorëheqjen nga detyra, ndërsa kryeministri Rama e plotësoi kabinetin me këshilltarin e tij të sigurisë, Sandër Lleshi.

Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, zoti Rama e falenderoi ish- ministrin Xhafaj “për kontributin e çmuar”, ndërsa tani që “traseja është e shtruar”, “duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate”.

Zoti Xhafaj është një nga politikanët kryesorë të Partisë Socialiste, deputet e ministër në disa mandate, si dhe kryetar i komisionit parlamentar të reformës gjyqësore.

Krahas vetingut në drejtësi, ai ideoi dhe procesin e vetingut në radhët e policisë, ndërsa drejtoi për shumë muaj operacionin “Forca e Ligjit”.

Gjatë mandatit të tij si ministër i punëve të brendshme, zoti Xhafaj u kritikua nga opozita për shkak të dënimit, që kishte marrë në Itali vëllai i tij Agron Xhafaj.

Ndërsa ky i fundit iu dorëzua drejtësisë italiane dhe ministri vazhdoi punën me disa operacione të tjera kundër kriminalitetit, kryeministri pranoi sot dorëheqjen e tij.

Opozita ka kërkuar edhe largimin e kryeministrit Rama për shkak të lidhjeve që ai mban, sipas saj, me njerëz të botës së krimit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkroi në rrjetet sociale se “Fatmir Xhafa ishte i vetmi ministër të brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge”, dhe se largimi i tij “është një hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi’.

“Largimi i tij është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin” – tha zoti Basha.

Akuza të ngjashme partia demokratike pati hedhur edhe ndaj ish ministrit të punëve të brendshme Saimir Tahiri, familjarët e të cilit akuzohen nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike. / voa

Ndërsa prestigjozja amerikane New York Times boton një raportim të agjencisë Associated Press.

“Kryeministri shqiptar tha se ministri i Brendshëm i vendit ka dhënë dorëheqjen. Duke shkruar në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se ka pranuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj, pa dhënë asnjë shpjegim. Më pas Rama nominoi Sandër Lleshin, një ish-zyrtar ushtarak, për postin në fjalë. Rama tha se Lleshi do të sjellë energji pozitive”.

“Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit janë prioritetet kryesore për Shqipërinë, e cila shpreson që të nisë negociatat e plota me BE gjatë vitit tjetër. Xhafaj pritet të lëshojë një deklaratë në vazhdim”.