LAJMI I FUNDIT

Si jetim: Një foto e trishtuar e Vuçiqit nga takimi për Ballkanin Perëndimor ku pjesëmarrës ishte edhe Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ul i vetëm dhe i ndarë nga të gjithë liderët në panelin për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Në panel ishin të pranishëm liderë nga Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Për momentin nuk dihet se si ka ardhur deri te ky rregullim i ndenjëseve, nëse presidenti serb ka dashur të veçohet vetë, apo ka mbetur pa karrige në rreshtin ku janë të gjithë të tjerët.

Në foto shfaqen i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri maqedonas Stevo Pendarovski…, transmeton Ballkani.info.

Pjesëmarrësit e panelit diskutuan për sfidat me të cilat ballafaqohen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për ruajtjen e stabilitetit, krijimin e kushteve për nxitjen e rritjes ekonomike të vendeve, si dhe u theksua domosdoshmëria e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të ngrira, njofton agjencia Beta.

Kujtojmë se ky panel është paralajmëruar veçmas në raportet e mediave nga Davosi, dhe pas mbërritjes së delegacionit serb në këtë qytet zviceran, ku në hotelin përballë ku ndodheshin përfaqësuesit e vendit tonë janë varur dy flamuj të Shqipërisë së Madhe dhe Kosovës, të cilët më pas u hoqën.

Në margjinat e samitit një ditë më parë, Vuçiq është takuar ndër të tjera me Lajçakun, ndërsa Lajçak ka njoftuar në Twitter se ka pasur një bisedë të mirë me Kurtin.