Si iu vardis dhe iu ankua Vuçiq amerikanëve nëpërmjet gjeneralit të pensionuar amerikan

Në takim kokë-më-kokë mes një gjenerali të pensionuar të ushtrisë amerikane dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmoi se cfarë kursi ndjek Serbia, kur vjen puna te negociatat me Kosovën.

Vitin e kaluar, gjenerallejtënanti i pensionuar amerikan, Ben Hodges, që ka qenë komandant i forcave amerikane në Evropë, ka marrë një kërkesë interesante nga autoritetet serbe; ftohej që ta takonte presidentin serb, shkruan BIRN.

Hodges, që pranoi kërkesën e Vuçiqit, e kishte të paqartë pse presidenti serbi deshi ta takonte atë. Për këtë e kishte pyetur një bashkëbisedues serb, e përgjigja ishte “Vuçiq nuk ka askënd për të folur”.

Ish-komandanti priste takim zyrtar me Vuçiqin e deri diku edhe një ceremoni, por ndodhi e kundërta. Presidenti serb e kishte organizuar një takim të mbyllur, vetëm mes atyre të dyve dhe madje nuk ishte mbajtur as proces verbal. Takimi ndodhi në mesin e majit.

Hodges ka shkuar në Beograd vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Vuçiq e kishte përcjell këtë ngjarje, e i ka thënë ish-gjeneralit amerikan “pa marrë parasysh se cka mendon për Presidentin Trump, kjo është një gjë shumë e madhe për krejt rajonin, që një kryeministër i një shteti të vogël si Hungaria, ta ketë mundësinë ta takojë presidentin amerikan”.

Sipas Vuçiqit, ai takim ishte shenjë e mirë që SHBA’ja interesohet për Ballkanin.

Vuçiq i ka thënë Hodges-it se ndihet në presion nga të gjitha anët për çështjen e Kosovës. Sipas ish-komandantit amerikan, Vuçiqit i duhet t’ia demonstrojë popullit serb se si negociatat me Kosovën për normalizim do të kërkojnë “një sakrificë” nga ana e Serbisë.

“Nuk është negociatë nëse nuk humb diçka, kështu që duhet të kesh diçka për të dëshmuar pse je dorëzuar. Kështu që, ideja e Perëndimit për integrim është shumë e rëndësishme”, komenton Hodges.

Ai thekson se Vuçiq është i zënë ngushtë nga presioni brenda dhe jashtë Serbisë në lidhje me dialogun me Kosovën.

“Nga vizita kuptova që ai [Vuçiq] është qartas nën presion të madh nga Kremlini, Kisha Ortodokse Serbe, organizatat e veteranëve dhe të tjerët…”, ka thënë Hodges.

Sic Vuçiq i ka thënë ish-komandantit, ai e admiron Trumpin, me të cilin i kanë shtrënguar duart rreth katër herë. Me Trumpit, Vuçiqi mund ta bëjë diferencën prej SHBA’së, pasi ai nuk është përfshirë në politikat e viteve të ’90-ta, të cilat cuan në bombardimin e Serbisë dhe njohjen e Kosovës nga SHBA’ja, në vitin 2008.

Vuçiq ka brengë zbrazjen e Serbisë nga të rinjtë, prandaj dëshiron marrëveshje ekonomike, që do ta ngrisnin shtetin ekonomikisht.

Richard Grenell, emisar i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, i ka parë këto apetetite të Vuçiqit dhe dëshiron t’ia servojë atë që presidenti serb do, në këmbim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.