Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në homazhet që janë mbajtur në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes në 21-vjetorin e masakrës, në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe.
Familjarët e viktimave thonë se këtë përvjetor kanë më shumë dhimbje për shkak të tendencës së shtetit të Serbisë për mohimin e kësaj masakre.
Homazhe te varrezat kanë bërë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, deputetët dhe personalitete të tjera. I pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Po ashtu këtë gjenocid serb e ka përkujtuar edhe ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook, në përkujtim të masakrës së Reçakut, 21 vite më parë, shkruan Ballkani.info.
Mirëpo, përveç që asnjëherë nuk ka qenë në Reçak, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka qenë në gjendje që të paktën një postim në Facebook të bëjë në shenjë përkujtimi.
Ky gjest i Edi Ramës është për t’u habitur, mirëpo ai tashmë e ka “dëshmuar” vetën se nuk ia bën edhe aq për Kosovën.
“Njëzetë e një vite më parë, forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, pleq, gra e burra e të mitur. Kjo ngjarje jo vetëm tronditi fort ndërgjegjen e gjithë botës demokratike, por edhe përshpejtoi ndërhyrjen politike e ushtarake të NATO-s në Kosovë.”- u shpreh Ministri në Detyrë Cakaj.
Gjithashtu, ai theksoi se duke kujtuar masakrën e Reçakut, ne kujtojmë edhe rrugëtimin drejt pavarësisë së Kosovës nëpërmjet fushatave më të shëmtuara të spastrimit etnik dhe gjenocidit.
“Njëzetë e një vjet më vonë ende kujtojmë nevojën për vënie para drejtësisë të frymëzuesve politikë dhe zbatuesve ushtarakë e spastrimit etnik dhe veprimeve gjenocidiale në Kosovë.”- përfundoi statusin e tij Cakaj. /Ballkani.info/







