publikim

Si e tronditi Football Leaks botën e futbollit me pretendimet për Man Cityn dhe PSG-në

Artikujt e “Football Leaks” të publikuar në gazetën gjermane Der Spiegel dëshmuan se Manchester City dhe Paris Saint-Germaini i kanë falsifikuar të dhënat e përfitimeve nga sponsorët për të mos u ndëshkuar nga UEFA për shkeljen e rregullave të transferimeve, Financial Fair Play (FFP).

Të dhënat e siguruara nga hakerët të cilët e kishin sulmuar sistemin kompjuterik të FIFA-s vërtetuan se UEFA kishte qenë në dijeni për këto shkelje dhe madje kishte arritur marrëveshje jashtë gjykatave me këto dy klube për të mos i larguar nga Liga e Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Komiteti Gjykues, ndër të tjerash, i ka zhvleftësuar marrëveshjet për sponsorizim të PSG-së për 37 përqind. Klubi francez kishte deklaruar se marrëveshja me QTA-në vlente 100 milionë euro, ndërsa më vonë u zbulua se ajo vlente vetëm 58 milionë euro.

Edhe Manchester City i kishte falsifikuar kontratat në mënyrë të ngjashme. Klubi anglez është përballur edhe më parë me hetime për shkeljen e FFP-së, dhe në vitin 2017 kishte arritur marrëveshje me UEFA-n për t’ia paguar 55 milionë euro si dëmshpërblim dhe për ta mbyllur këtë proces gjyqësor.

Të dy klubet e përfshira në këtë skandal i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, ndërsa UEFA fillimisht e kishte lëshuar një deklaratë ku kishte thënë se këta artikuj ishin shkruar me tendencë për ta shpërfytyruar atë.

Në anën tjetër, La Liga lajmëroi se ishte e gatshme t’i paraqesë para autoriteteve të Bashkimit Evropian (BE) dëshmitë për shkeljen e ligjit nga Manchester City dhe Paris Saint-Germaini, nëse UEFA nuk i ndëshkon këto dy klube.

“Dokumentet e Football Leaks e konfirmojnë atë që e kemi thënë për vite të tëra me radhë. PSG-ja dhe Manchester City duhet të ndëshkohen. Nëse UEFA nuk reagon, atëherë ne do të ankohemi te autoritetet përkatëse të BE-së”, kishte thënë zëdhënësi i La Ligës, Joris Evers.

Pasi reagimet për këto shkelje nuk kishin të ndalur, UEFA i paralajmëroi klubet e mëdha se do t’i rihapë rastet e mbyllura në lidhje me shkeljet e rregullave të transferimit, Financial Fair Play (FFP), nëse zbulohen të dhëna të reja për këto raste.

“Nëse zbulohen informata të reja, që mund të përdoren si dëshmi në këto raste, UEFA do t’i përdorë këto të dhëna për t’i sfiduar klubet dhe për të kërkuar sqarime nga klubet e përfshira”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga UEFA.

“Nëse këto të dhëna të reja sugjerojnë se ka pasur abuzime në rastet tanimë të mbyllura, këto raste mund të rihapen. Kjo qasje është e vlefshme për të gjitha klubet që aplikojnë për një licencë të UEFA-s dhe që dëshirojnë të marrin pjesë në garat evropiane”.