Policia e Kosovës

“Si e ka marrë gjilpanën”, “4 fëmijë jetimë” – Rrëfimi për 35-vjeçaren në Malishevë e cila vdiq pasi shkoi për ta hequr dhëmbin

35-vjeçarja Leonora Shala nga Malisheva, për dy ditë planifikonte të kthehej në Itali atje ku jeton me familjen. Para udhëtimit, për shkak të dhimbjes së një dhëmbi, vendosi që atë të shkojë e ta heqë në një ordinancë private.

Por, heqja e dhëmbit u komplikua. Si pasojë e problemeve shëndetësore që iu krijuan pasi e mori injeksionin, 35-vjeçarja u dërgua me urgjencë në QKUK por nuk arriti të shpëtojë.

Gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti, ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerës ku familjarët kanë rrëfyer për rastin tragjik.

Njëri nga familjarët e Shalës ka treguar se problemet kishin nisur të shfaqen pasi e ndjera e mori injeksionin. Axha i bashkëshortit të të ndjerës ka rrëfyer për Nacionalen se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda minutash.

“Kjo ka shku me hjek dhamin, edhe ka ndodhë më e keqja si ia ka dhanë gjilpanën, u shku u fry dhe s’ka mujt ma me fol veç me dorë. Ma shkurt, pa shenja jete ka shku në Prishtinë. Jo kurrë s’ka pasur probleme shëndetësore”, ka thënë ai për Nacionalen.

E ndjera planifikonte që pas dy ditësh të kthehej në Itali, atje ku jetonte me familjen. Shala ka lënë pas vetes katër fëmijë.

“Kjo ka ardhur prej Italie, edhe dy ditë ka pas me shku në Itali. I ka thanë të kryj shpejt e shpejt, ndodhi më e keqja, si ia ka dhanë gjilpanën, çka ka pasur sdi, ishalla drejtësia punon për këtë rast. Katër fëmijë jetima, më të madhen qikën 10 vjet, më të voglën 5 vjet”, deklaroi familjari i Shalës.

Ai ka pasur edhe një apel për institucionet shëndetësore.

“Ishalla drejtësia punon, edhe kujdes mjekësia me pas jo, se pak e shumë duhet me i marrë do gjana parasysh. Drejtësi për çka po mujmë, po në qafë e murrën, fëmijet jetima i kanë lanë. Edhe dy ditë ka pasur me ec për Itali. Po merren me gjithçka, me keqardhje po foli po jeta, njeri po vdes ma nuk po qohet. Vallahi stomatologë po, veç qysh më tutje nuk e di”, deklaroi ai.

E një tjetër familjar ka thënë se nga momenti kur është larguar nga shtëpia e deri te vdekja e Leonorës, nuk ka pasur më shumë se 2 orë.

“Rasti ka ndodhur u shku me hek një dhëmb edhe aty për aty ka ardhur deri te gjendja. Kjo është punë 2 orë, prej nisjes nga shtëpia deri te vdekja. Ka shku në ordinancë private në Malishevë, me emër muj me gabu,ka shku me hek dhamin, aty si e ka marrë gjilpanën për heqjen e dhamit, punë minutash ajo ka ardh deri te vdekja. Sa kemi informata na nuk i dimë saktë, po ashtu flitet, 2 apo sa. I ka katër fëmijë, tri vajza një djalë. Djali është 5 vjet, më e madhja 10 vjet”, deklaroi një tjetër familjar për Nacionalen.

Policia për këtë rast ka arrestuar dy presona. Të dy të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Sipas raportimeve jozyrtare, kjo ordinancë ka shërbyer edhe për raste gjinekologjike.