Si do të zhvillohet mësimi në shkollën me më së shumti nxënës në Kosovë?

Qyteti i Fushë Kosovës që nga paslufta është ndërtuar shumë. Me objekte të shumta banesore e me popullatë të re, janë disa nga karakteristikat e qytetit që shërben si rrugë transit për të lidh thuajse të gjitha qytetet e Kosovës me kryeqendrën, Prishtinën.

Mirëpo këto nuk janë karakteristikat e vetme që ka ky qytet. Kjo pasi që brenda tij ndodhet shkolla që ka numrin më të madh të nxënësve në nivel nacional.

Rreth 3 mijë nxënës vijojnë mësimin në shkollën fillore “Mihal Grameno”. Ndërsa tani kur vetëm një javë nga ndan nga fillimi i vitit të ri shkollor, nxënësit e kësaj shkolle do të duhet të ndahen në grupe më të vogla në mënyrë që t’i kthehen bankave shkollore.

Ky vendim ka ardhur pas takimit që kanë pasur kryetarët e komunave me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Arsim Ramë Likaj, e të cilët janë dakorduar që në këtë mënyrë ulet rreziku i përhapjes së Covid-19.

Drejtori i Arsimit në komunën e Fushë Kosovës Islam Shabani, në një prononcim për IndeksOnline tha se shkolla “Mihal Grameno” do ta ndaj secilën klasë në dy grupe, meqë aktualisht klasat numërojnë rreth 40 nxënës e ndonjëherë edhe më shumë.

Shabani ka treguar se secila klasë do të ketë nga 20 nxënës dhe mësimi do të zgjas afërisht deri në 4 orë, ndërsa nxënësit do të ulen secili i vetëm në bankë.

“Secila klasë do të ndahet në dy grupe, me një ndërrim me një grup tjetër, Sepse ne nuk mundemi t’i futim nga 40 nxënës të në njëjtën kohë. Deri nga 20 i vendosim brenda klasës më në klasë, një nxënës një klasë. Nëse grupi i parë shkon nga ora 7 e gjysmë apo tetë në 10 tjetra, një grup prej orë 13:00 ose prej 2 e gjysmë, në varësi të situatës”, tha Shabani

Ai ka treguar se e kanë analizuar mjaftë mirë situatë dhe kjo është e vetmja mënyrë që mësimi të zhvillohet në rrethanat aktuale.

Që nga marsi me fillimin e rasteve të para të të prekurve me Covid-19, nxënësit nuk kanë qenë pjesë e bankave shkollore, duke zhvilluar kështu mësimin në distancë deri në qershor kur edhe i dhanë fund vitit shkollor 2019/20.