Si do të jenë pushimet verore pas pandemisë?

Si do të jenë pushimet verore pas pandemisë? Kjo pyetje po bëhet në të gjithë botën.

“Kjo verë me siguri do të jetë plotësisht ndryshe nga çdo verë tjetër deri më tani”, thotë presidenti i Aleancës së Operatorëve të Turizmit Gjerman, Norbert Fiebig në një intervistë me Tagesspiegel.

Ai parashikon që nëse ka shumë kufizime në udhëtime do të kalojë këtë verë në një nga qendrat turistike të Gjermanisë, shkruan Deutsche Welle.

Disa orë me makinë

Nëse do të udhëtojë përtej kufijve, qëllimi do të jenë vendet evropiane. Sa më afër, aq më mirë. Kroacia mund të përfitojë nga kjo, e cila është vetëm disa orë larg me makinë nga Gjermania jugore, transmeton Telegrafi.

“Në vendet evropiane që kanë realizuar këtë fazë të dytë të luftimit të përhapjes së infeksionit, do të jetë e mundur të udhëtoni, në kushte të caktuara të sigurisë”, thotë Fiebig.

Anulimi i alarmit vetëm kur krijohen kushte

Pozicioni i Ministrit të Jashtëm gjerman Heik Maas argumenton gjithashtu në favor të teorisë se, destinacionet turistike fillimisht do të jenë destinacione më të afërta. “Sigurisht, sapo të ndryshojnë rrethanat, ne do të lejojmë udhëtimin. Por unë mund të heq paralajmërimet vetëm nëse jam i sigurt se qytetarët do të jenë në gjendje të kthehen në Gjermani në mënyrë të rregullt”, tha Maas.

Turizmi pas coronavirusit

Këto aspekte, sipas Norbert Kunz nga Shoqata Gjermane e Turizmit, mund të luanin një rol në rritje në zgjedhjen e një destinacioni pushimesh në të ardhmen. Për të, pyetja e rëndësishme është nëse turistët do të duan të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre në të ardhmen në mënyrë që të rrezikojnë sa më pak të jetë e mundur në rast se duhet të kthehen shpejt në shtëpi.

“Cfarë roli luan siguria, përfshirë sigurinë mjekësore, në vendin ku kalojmë pushimet? Këto janë të gjitha çështjet me të cilat do të merremi më intensivisht në të ardhmen”, thotë Kunz për ARD.

Kriza e shkaktuar nga pandemia e coronavirusit mund të ketë pasoja të gjera për turistët.

Sa i përket të ardhmes, Kunz beson se industria e turizmit sigurisht që nuk do të hyjë në veprim të plotë këtë vit, por vetëm në verën e vitit të ardhshëm. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në Spanjë, ku qeveria u ka thënë punonjësve të turizmit se kjo industri nuk do të aktivizohet këtë vit. Por Kunz është optimist në planin afatgjatë: “Dëshira e qytetarëve për udhëtime jashtë vendit do të vazhdojë të ekzistojë. Kjo nuk është në dyshim”.