Si do ta financojë fushatën zgjedhore Vjosa Osmani?

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në debatin “KALLXO Pernime” ka treguar se për fushatën zgjedhore ka angazhuar ekspertë për këtë çështje.

“Tash jemi në analizimin e këtyre, e kam angazhuar një avokat dhe një ekspert të këtyre çështjeve. Sivjet nuk kemi tubime publike dhe tubimet publiket janë ato që kanë më së shumti shpenzime. Do të zhvillojmë fushatë derë më derë”, tha ajo.

Disa ditë më parë ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani ka takuar udhëheqësit e partive politike dhe ka bërë të ditur se sapo palët ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur si jokushtetues votimin e Qeverisë Hoti.

Shkak për këtë ishte bërë vota e Etem Arifit, i cili përkundër që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë kishte marrë pjesë në votimin e Qeverisë.