Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kishte kërkuar javë më parë nga diaspora që ta ndimojnë qeverinë me mjete financiare, për të luftuar koronavirusin në Kosovë. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti kishte njoftuar se qeveria ka hapur një llogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.
Sipas Kurtit të gjitha mjetet do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.
“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, ishte shprehur Kurti.
Megjithatë, edhe shumë javë pasi që nisi, ky fond i Qeverisë Kurti nuk ka arritur që të grumbulloi as një milion eurot e para.
Ministri në detyrë i financave, Besnik Bislimi, ditë më parë ka njoftuar se 391,886 euro janë dhuruar nga diaspora kosovare si ndihmë për shtetin e Kosovës për ta luftuar sëmundjen COVID-19.
“Përditësim i informatës për donacionet në llogarinë COVID 19: Deri në këtë moment, në llogari janë derdhur 391.886 Euro. Donacione nga Zvicra janë 206.000 euro; nga Gjermania 92.000; nga Kosova 22.000 Euro, pastaj vijnë donacionet nga Suedia, Norvegjia, Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika”, kishte shkruar Beslimi







