Ministri i Mjedisit, Plafikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, ka njoftuar se kanë filluar rindërtimi dhe renovimi i shtëpive të shqiptarëve në veri të Kosovës, raporton Ballkani.info.

Aliu përmes një postimi në rrjetin social ">Facebook ka treguar se ndërtimi dhe renovimi i shtëpive në veri të vendit janë të viteve 1998 dhe 1999- të cilat janë djegura gjatë luftës.

“Gjatë luftës së fundit, vendit tonë i janë shkaktuar dëme masive shkatërruese nga Serbia, që vazhdojmë t’i vuajmë ende edhe sot. Bazuar në situatën e gjendjes faktike të familjeve në Veriun e Republikës se Kosovës, dhe sipas Raportit të Komisionit Vlerësues të Komunës së Mitrovicës mbi dëmet e shkaktuara të luftës gjatë viteve 1998/99, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me organin kompetent komunal, kemi marrë vendimin për vazhdimin e projektit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë asaj periudhe kohore”, ka shkruar ai.

Lajmin për ndërtimin dhe renovimin e këtyre shtëpive e kanë mirëpritur edhe qytetarët e pjesës veriore  të vendit.

“Shyqyr që ma pruni Zoti me u kthy edhe niher në shpinë teme në veri të cilën qe 25 vjet nuk kam guxu as me e vizitu”, i ka thënë një qytetar ministrit.

Ministri i MMPHI-së iu ka premtuar qytetarëve se të gjitha shtëpitë do të ndërtohen.

“Kur të vijmë herën tjetër në vizitë krejt këto shtëpi që jemi duke i parë që kanë qenë të shkatërrume, krejt rend me i pa duke u punuar”, ka thënë Aliu./ Ballkani.info/