Shyqiri Bytyqi: Tatimpaguesit duhet të ndjejnë siguri në politikat fiskale

Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Shyqri Bytyqi, ka thënë që para ligjit duhet të jemi të barabartë, e kjo sipas tij realizohet me qasje profesionale dhe qëndrueshmëri të menaxhimit.

Në debatin për politikat fiskale në televizionin publik, Bytyqi ka thënë se reforma e thellë fiskale duhet të kuptohet drejt.

Sipas tij në Kosovë nuk janë bërë reforma të thella fiskale.

“Nuk duhet të kemi ulje të tarifave e të taksave, por duhet të gjejmë rrugën që të shtyjmë përpara bizneset e vogla dhe të mesme. Është e vërtetë se investimi ka qenë në bizneset e mëdha me shpresën se ata pastaj do të investojnë më shumë. Por, tani duhet ta rikthejmë fokusin edhe në bizneset e vogla dhe të mesme”, ka shtuar Bytyqi.

Ai ka thënë se tatimpaguesit duhet të ndjejnë siguri në politikat fiskale dhe deri më tash nuk ka pasur koherencë të krijimit të politikave të mira, pasi shpesh janë përdorur standarde të ndryshme.

loading…