Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka vazhduar me aktivitete edhe sot. Buja ka vizituar kompaninë e ndërtimit Gashi Invest, një prej kompanive lidere të sektorit jo vetëm në Lipjan, por edhe në Prishtinë.

“Patëm kënaqësinë të takoheshim me pronarin, z. Bajram Gashi. Kompania Gashi Invest, punëson mbi 200 punëtorë, shumë firma tjera nënkontraktore, duke dhënë një input të rëndësishëm në mirëqenien e shumë familjeve në Lipjan. Në takim me z. Gashi diskutuam për sfidat dhe mundësitë e sektorit të ndërtimtarisë, si dhe për rolin që duhet të ketë komuna në rritjen e cilësisë së këtij sektori”, ka shkruar Buja.

Sipas tij, komuna duhet të rishikoj hartat zonale në konsultim me sektorin privat, të shkurtoj procedurat administrative, të shmang ndërhyrjet, si dhe të rris stafin profesional për ofrimin e shërbimeve cilësore.

“Lipjani, si një qytet dinamik dhe në afërsi të Prishtinës, duhet të ofrojë çmime të përballueshme banimi për çiftet e reja, si dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës që zgjedhin ta bëjnë Lipjanin vendbanim të tyre. Prandaj, në mandatin tim të ardhshëm si Kryetar i Komunës së Lipjanit, do të punoj ngushtë me sektorin e ndërtimit për: 1. Rritjen e zhvillimit dhe standardeve të ndërtimit; 2. Avancimin e kushteve të punës të punëtorëve që punojnë në këtë sektor; 3. Promovimin e banimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët tanë. Fitorja është e jona!”, ka shkruar Buja në fund. /Ballkani.info/