Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës ka marrë vendim që ta shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës (NKEC), vendim i cili nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është konsideruar si tepër i vonshëm.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, ekzekutivi ka përgjegjësi për mijëra euro të shpenzuara kot.
Kjo ndërmarrje prej vitesh ishte pa funksion, por vetëm brenda vitit 2022 ia ka harxhuar buxhetit të shtetit afër 100 mijë euro në paga për shtatë anëtarë të saj.
Në vlerësimin e Hotit Auditori i Përgjithshëm i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që kjo Ndërmarrje të shuhej para shumë kohe.
“Shkaqet për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje publike kanë pushuar që nga koha kur është ndërprerë projekti i termocentralit ‘Kosova C’. Ju keni përgjegjësi për mijëra euro të shpenzuara kot. Auditori ju ka rekomanduar para shumë kohe ta shuani. Ju ra ndërmend pas ballafaqimit që kishim në Kuvend. Fatkeqësisht, ky është vetëm njëri nga shumë rastet e abuzimit me paranë publike”, ka shkruar Hoti në platformën sociale, Facebook.







