Shtyrja e zgjedhjeve në veri, KQZ mban takim urgjent në orën 18:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në pritje të kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhje (KQZ), që ta marrë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Demokracia.com ka raportuar të premten nga burime brenda Zyrës së Osmanit, se presidentja ka vendosur që ta shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, porse është duke i ndjekur procedurat formale.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arianit Elshani, ka thënë për Demokracia.com se KQZ nuk mund të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve.

“KQZ nuk mund të marrë një vendim të tillë e as nuk është diskutuar deri më tani. Ne kemi mandat përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, prandaj do të ishte në kundërshtim me obligimet tona kushtetuese”, ka thënë Elshani për Demokracia.com.

Elshani njoftoi po ashtu se KQZ do të mbajë mbledhje sot në orën 18:00.

“Po. Është një takim i mbyllur”, tha Elshani.

Ndryshe, presidentja Osmani kishte caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por pas incidenteve të shumta, plagosjes së një pjesëtari të Policisë, shumë shpërthimeve dhe kërkesës së ambasadorëve, ajo pritet që ta publikojë vendimin më së largu në fillim të javës për shtyrjen e zgjedhjeve.