Shtyhet seanca për çështjen “Babale”, Salianji: Kam paraqitur prova për pafajësinë time

Më datën 18 korrik pritet të zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit në Tiranë për dosjen “Babale”.

Deputeti Ervin Salianji u shpreh se sot mungonte një nga gjyqtaret dhe avokati dhe kjo ishte arsyeja pse u shty seanca. Ai tha se ka paraqitur prova për të provuar pafajësinë e tij.

“Isha i vetmi i paraqitur në sallë për të ndjekur çështjen, pas akuzës së bërë nga një person i dënuar për trafik droge. Për shkak të mungesës së një prej gjyqtareve dhe avokatëve, seanca u shty për në datën 18. Ankimi është i plotë, elementët janë bërë publike, nuk ka pasur një vepër penale. Unë kam paraqitur prova kryesisht për publikun për të provuar pafajësinë time.

Çështja ‘Babale’ ishte një ndër temat më të nxehta të debatit politik në vitet 2017-2019 gjatë kohës kur Fatmir Xhafaj ishte ministër i Brendshëm.

Xhafaj u akuzua nga Salianji dhe Partia Demokratike se favorizoi vëllanë e tij Agron Xhafaj, të dënuar në Itali me 7 vjet e 4 muaj burg.

Pas daljes së përgjimeve, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane duke shlyer dënimin e tij dhe tashmë është rikthyer në Shqipëri i lirë.

Deputeti Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale” dhe gjykata kërkoi 1 vit burg për të. /Euronews Albania/