Shtrenjtohet buka e djathi në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e fundit tregon se çmimet e produkteve të konsumit të gjerë janë më shtrenjtë për 0.8 për qind në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me muajin qershor.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.8% në muajin korrik 2021, krahasuar me muajin qershor 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.4%); qumësht, djathë dhe vezë (1.5%); pemë (1.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (0.9%); kafe, çaj dhe kakao (0.9%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.6%); pije alkoolike (2.5%); gaz (2.5%); blerje e automjeteve (0.6%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (7.1%); shërbime për transport (1.8%) – (ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror); pushime të organizuara turistike (14.2%); shërbime hoteliere (0.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.0 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it: perime (-4.4%), me një ndikim të këtij nëngrupi  prej (-0.2 për qind) në IHÇK.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2021 me muajin korrik 2020 ishte 3.5%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 3.5 për qind në muajin korrik 2021, krahasuar me muajin korrik 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.6%); qumësht, djathë dhe vezë (3.4%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (28.2%); perime (8.9%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.2%); pije alkoolike (3.2%); duhan (2.8%); gaz (9.0%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.0%); pajisje shtëpiake (2.5%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (1.5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.8%); blerje e automjeteve (1.0%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (1.8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (27.3%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.7%); shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3%); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative (2.3%); pushime të organizuara turistike (15.7%); shërbime hoteliere (0.8%); kujdes personal (1.2%); shërbime financiare (4.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.8 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-8.5%); shërbime për transport (-3.2%) – (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pajisje telefonike dhe të telefaksit (-7.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.