Shtohet presioni: Emisarët perëndimor shkojnë në Beograd

Pas festave të Krishtlindjeve, pritet një zbarkim i “forcave speciale” perëndimore për Ballkanin, të cilët po vijnë në Beograd me mision për të rritur presionin dhe për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruan gazeta serbe “Novosti”, përcjell Demokracia.com. 

Siç shkruan “Novosti”, perëndimorët po nxitojnë sepse po afron përvjetori i fillimit të konfliktit ruso-ukrainas, 24 shkurti, i cili në qarqet diplomatike joformale është caktuar si afat deri në të cilin Beogradi dhe Prishtina duhet të paktën të bien dakord për draftin e marrëveshjes së ardhshme për normalizimin të marrëdhënieve.

Sipas informacioneve të mediumit serb “Novosti”, të paktën një duzinë diplomatë perëndimorë po planifikojnë të paketojnë valixhet dhe të nisen për në Serbi për të bindur udhëheqjen shtetërore serbe që të fillojë negociatat politike me palën shqiptare, e cila ka një plan franko-gjerman për Kosovën në thelbin e saj. “Ky dokument, edhe nëse i rafinuar, është i papranueshëm për Beogradin, sepse sipas informacioneve që dolën në opinion, ai ka në thelb njohjen e shtetit të Kosovës, pra nga Beogradit i kërkohet që të mos ta bllokojë pranimin e Prishtinës në Kombet e Bashkuara”, shkruan mediumi serb.

“Sipas burimeve tona diplomatike, katër persona nga SHBA, BE, Franca dhe Gjermania duhet të zbarkojnë të parët në kryeqytetin serb. Më saktësisht, është planifikuar që të dërguarit special të Uashingtonit dhe Brukselit, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, të vijnë për një vizitë të përbashkët, të shoqëruar nga emisarët e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Këta janë Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, të cilët së bashku me Escobarin dhe Lajçakun erdhën në Beograd shtatorin e kaluar, kur palës sonë iu dorëzua versioni i parë i planit franko-gjerman”, shkruan tutje ky medium.

Në ndërkohë, Beogradi dhe Prishtina kanë dërguar kundërshtimet e tyre për këtë dokument, por sipas presidentit Aleksandar Vuçiq, teksti i rishikuar është ende i papranueshëm për Serbinë. Ai ka njoftuar tashmë një raund të ri presioni ndaj Beogradit, duke filluar nga mesi i janarit:

“Pres që të vijnë burrat dhe gratë e mëdha të botës, të më thonë se si duhet të arrijmë një marrëveshje. Unë do t’i pres dhe pastaj do të vazhdojë tortura me Kurtin, ku e di që nuk do të ketë pajtim dhe asgjë normale. Disa do të jenë të lumtur sepse do të jetë një lak, siç mendojnë ata, për Vuçiqin. Por jo, do të jetë një lak në qafën e Serbisë. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për çështjen e Kosovës, por do të luftojmë”, ka thënë Vuçiq.

Ky medium shkruan tutje se përveç katërshes amerikano-evropiane, nuk përjashtohet që në periudhën e ardhshme në Beograd të vijë edhe një tjetër i dërguar nga QUINT-i, i cili deri më tani ka prirë në presionin ndaj Serbisë. Gjegjësisht, Britania e Madhe ka edhe “specialistin” e saj për Ballkanin Perëndimor, pikërisht Stuart Peach. Përfaqësuesit e tyre për rajonin kanë edhe Sllovenia (Anžej Frangeš) dhe Greqia (Sofija Gramata). Përveç Pletnerit, në emër të Berlinit me rajonin merret edhe Emanuel Zaracin, i emëruar nga qeveria gjermane.