Shteti turk ia pret 8 vjet burg gylenistit që u dëbua nga Kosova

Me tetë vjet, 1 muaj dhe 15 ditë burg është dënuar Hasan Huseyin Gunakan që ishte arrestuar në Kosovë, për t’u deportuar pastaj për në Turqi, pas një aksioni të ndërmarrë nga institucionet e sigurisë në vend.

Si arsye e dënimit të tij është dhënë fakti se ai është pjesëtar i organizatës së klerikut Fethullah Gulen, FETO, organizatë të cilën shteti turk e konsideron terroriste.

Gunakan gjatë gjykimit i ka mohuar të gjithat akuzat e ngarkuara ndaj tij.

 “Thuhet se unë jam sjellë (në Turqi) legalisht. Megjithatë, një komision hetues parlamentar i Kosovës nuk ka pranuar se ne jemi sjellë legalisht këtu. Nuk kam kurrfarë lidhjeje me akuzat. S’ka kurrfarë dëshmish konkrete ndaj meje. Dua të lirohem dhe të shpallem i pafajshëm”, ka thënë ai.

Edhe avokati i të pandehurit i kishte mohuar akuzat për pjesëmarrje në organizatën në fjalë dhe kishte kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm të klientit të tij.

Megjithatë, gjykata mori vendimin e saj dhe e dënoi Hasan Huseyin Gunakanin me 8 vjet, 1 muaj e 15 ditë burgim, pjesërisht për shkak të “anëtarësimit në organizatë të armatosur terroriste”.

Ai ishte akuzuar edhe për “spiunazh ndërkombëtar”, por gjykata e ka shfajësuar të pandehurin ndaj kësaj akuze.

Të pandehurit tjerë, të arrestuar në Kosovë e të dëbuar në Turqi, Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan, janë dënuar me nga 7 vjet e 6 muaj burgim. I pandehuri tjetër, Kahraman Demirez, u dënua me 8 vjet e 9 muaj burgim. Të pandehurit tjerë janë ende në proces gjyqësor.