Tashmë po bëhen një muaj që nga sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit dhe sytë e perëndimit janë kah Serbia për përfshirjen dhe organizimin e strukturave shtetërore serbe – përçka pritet “hetim dhe zbardhje e plotë” e sulmit ndaj shtetit kosovar dhe vrasjes së rreshterit policor.
Kjo në rend të parë për shkak të udhëheqjes dhe organizimit të një formacioni prej rreth 90 personash të uniformuar nga politikani brenda strukturave të regjimit të Beogradit, Millan Radojiçiq, i cili edhe ka pranuar përgjegjësinë për sulmin.
Por, Serbia, e përballur me lidhjen direkte të saj në këto sulme, ka provuar të gjejë terren të ri shfajësimi të vetes – në Uashington.
Aleati i kahershëm dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Radojiçiqit, tash ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, ka organizuar një eventiment në ShBA të quajtur konferencë “për Paqe, Lutje, Stabilitet dhe Drejtësi për Kosovën”; saktësisht e kundërta çfarë synuan më 24 shtator me sulmin terrorist.
“E sollëm betejën për Kosovën në Uashington, në zemrën e kryeqytetit amerikan, sepse është momenti të tregojmë të vërtetën çfarë po ndodh, por gjithashtu të mobilizojmë komunitetin serb, që janë mëse 1 milionë serbë në Amerikë, për të reaguar, për të qenë në dijeni për faktin dhe të jenë të frymëzuar dhe të motivuar për t’u angazhuar me përfaqësuesit e zgjedhur”, ka thënë Gjuriq për Kosovo-Online.







