Shteti i Kosovës s’ka pranuar (ende) asnjë kërkesë për një ton ilaçe nga Rusia

Përfaqësuesi i Misionit Humanitar rus, Yevgeny Primakov, i cili njëherësh është edhe anëtar i Dumës ruse, në një konferencë shtypi në Beograd ka bërë të ditur se qytetarët rus kanë tubuar një ton me barëra dhe ilaçe të cilat janë të destinuara për barnatoret dhe Qendrën Shëndetësore në veri të Mitrovicës.

“Lista e barërave është bërë në përputhje me nevojat në Mitrovicën veriore, depotë e të cilave janë boshe sikurse edhe raftet në barnatore”, ka deklaruar Primakov.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili ka thënë se është në dijeni për lajmin, por që dërgesa nuk ka ndodhur ende.

“Donacione në Kosovë ndodhin për çdo ditë dhe kjo është normale. Në rastin në fjalë ende nuk ka diçka zyrtare, por në donacionet e barërave lejen e ofron Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ne si doganë i kryjemë procedurat e kontrollit”, ka thënë Stavileci.

Nga Ministria e Shëndetësisë për Ballkani.info kanë thënë se donacionet e destinuara për në Kosovë, nuk paguajnë taksë dhe se për këto dërgesa kompetencat kryesore i kanë kaluar Agjencisë Kosovare për Produkte Medicionale (AKPM).

Drejtori i AKPM-së, Arian Ahmeti, ka deklaruar se rreth donacionit të barërave nga Rusia për në Mitrovicën veriore, ende nuk është zyrtarizuar asgjë.

“Jam në dijeni për lajmin që është shpërndarë në media por tek ne nuk ka ende diçka zyrtare. Donacioni mund të bëhet në ditët në vazhdim por për këtë do të jemi paraprakisht të njoftuar. Në momentin që vijnë donacionet, prej ngado që ato vijnë, kontrollohen mirë dhe pastaj u lejohet hyrja në Kosovë. Në rastet kur përshembull barërat e donacioneve nuk kanë afat të mjaftueshëm dhe nuk i plotësojnë kushtet e tjera, atëherë ato nuk hyjnë në Kosovë”, ka thënë Ahmeti për Ballkani.info.

Nga AKPM-ja është thënë se kërkesat për donacione së pari i dërgohen Ministrisë së Shëndetësis, ndërsa kjo e fundit ka thënë se ende nuk kanë pranuar kërkesë për donacionin në fjalë. /Ballkani.info/