Ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të kemi një Qeveri Kurti 3, një gjë është e sigurt se kushdo që arrin të mbledhë 61 vota në Kuvend, nuk do të shqetësohet për transportin. Pushtetarët e ardhshëm do të kenë vetura të mira në dispozicion për mandatin e ardhshëm qeveritar.
Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Financave, ka nënshkruar kontratën për qeranë e veturave që do të jenë në dispozicion të qeveritarëve të ardhshëm.
Kontrata është firmosur me kompaninë Automita dhe kap vlerën e 3.5 milionë eurove.

Sipas dosjes së tenderit, e cila është publikuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), veturat sipas specifikave duhet të jenë të reja të papërdorura me 00 kilometra si edhe pranohen vetëm vetura të prodhimit 2024. Po ashtu në dosje janë dhënë detaje dhe për kohëzgjatjen.

Tenderi është ndarë në dy Lote, dhe sipas specifikave, të dyja përfshijnë nga 83 vetura për një periudhë 60 mujore. Me fjalë të tjera, në pesë vitet e ardhshme, kushdo që do të drejtojë shtetin, do të ketë një “flotë” të gatshme veturash.







