Shtetasi i huaj me 27 kartela që vidhte banka, arrestohet në Prishtinë – policia tregon sa para ia gjeti

Policia e Kosovës ka arrestuar një person shtetas të huaj i cili dyshohet se tërhiqte para kundërligjshëm nga bankomatet në Kosovë.

Sipas policisë, atij i janë sekuestruar 27 kartela të ndryshme bankare dhe dëshmi të tjera.

“Sipas detyrës zyrtare gjatë gjithë procesit ka qenë prezent avokati mbrojtës. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:

Dyshohej të tërhiqte para kundërligjshëm nga bankomatet në Kosovë, arrestohet shtetasi i huaj, i sekuestrohen 27 kartela të ndryshme bankare të dyshuara të klonuara dhe dëshmi të tjera

Prishtinë, më 4 shtator 2022

Më datë 03.09.2022, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, është njoftuar nga njësiti patrullues i stacionit policor Jugu në Prishtinë, lidhur me ndalimin e një personi të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare.

Dyshohet se i njëjti me kartela të klonuara ka tentuar ose ka tërhequr para nga bankomatët e bankave të ndryshme në Kosovë.

Në cilësi të provave dëshmive materiale janë sekuestruar:

– Një telefon celular;

– Një SIM kartel;

– Para të gatshme 1200 euro;

– Rreth 387.02 Funta Anglez;

– 27 kartela të ndryshme bankare, të dyshuara të klonuara.

Sipas detyrës zyrtare gjatë gjithë procesit ka qenë prezent avokati mbrojtës. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.

Me vendim të Prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe sipas rekomandimeve do të ndërmerren veprimet e mëtejme sipas proceduarve ligjore.