John Kirby

Shtëpia e Bardhë: Serbia ka nisur tërheqjen e trupave nga kufiri me Kosovën

Serbia ka filluar t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, tha të martën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby.

“Qëkur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty,” tha Kirby, sipas Zërit të Amerikës.

Ai shtoi se “kjo është diçka pozitive që do të ndihmojë për ta shtensionuar situatën, edhe pse nuk do t’i eliminojë ato”.

Disa ditë pasi grupe të armatosura serbe sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, Banjskë më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, Shtetet e Bashkuara ngritën shqetësime për një grumbullim të madh ushtarak nga Serbia përgjatë kufirit me Kosovën.

Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian i bënë thirrje Serbisë javën e kaluar t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Të shtunën, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i quajti joproporcionale paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar.”

Kirby tha të martën se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave paqeruajtëse amerikane në KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave në kuadër të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të armatosur serb në veri të Kosovës.

Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Ai u mor në pyetje sot nga prokuroria serbe në Beograd, të cilin e akuzon për “trafikim armësh” dhe “vepra kundër sigurisë”.