Lloyd Austin

Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar për disa ditë se Sekretari i Mbrojtjes është në spital

Administratës Biden nuk i ishte treguar me ditë se Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, është hospitalizuar, ka thënë një zyrtar për mediumet në SHBA.

Austin 70-vjeçar është shtrirë në Qendrën Mjekësore “Walter Reed” të hënën, për shkak të komplikimeve pas një ndërhyrje.

Një zyrtar i ka thënë “CBS”, se Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar për situatën shëndetësore të Lloyd Austinit.

Austini e ka pranuar përgjegjësinë për mungesën e komunikimit.

“Unë e pranoj se kam mundur të bëjë punë më të mirë që publiku të informohej më mirë. Jam i përkushtuar të veproj më mirë në të ardhmen”, tha Austin.

Sekretari i Mbrojtjes qëndron menjëherë pas presidentit në SHBA në zinxhirin komandues të Ushtrisë.

“Jam shumë i lumtur që jam duke u përmirësuar dhe po pres me padurim të kthehem në Pentagon”, tha Austin.

Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së ka thënë për agjencinë “AFP” se Austin ka rinisur detyrat e tij të premten.

Nuk është e qartë se si ka mundur të kryejë detyrat Austin për shkak të sëmundjes së tij, dhe po ashtu edhe për shkallën e ndihmës që ka ofruar zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Kathleen Hicks.

Zyrtarët kanë thënë për “CNN” se ajo në mënyrë periodike ka marrë detyrat e Austinit gjatë kohës së tij në spital, ndërsa vetë Hicks ishte me pushime në Porto-Riko.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, raportohet se ka pasur një bisedë “të ngrohtë” me Austinin të shtunën.

“Presidenti ka besim të plotë te Sekretari Austin. Mezi pret që ai të kthehet në Pentagon”, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë “AFP”.

Republikanët kanë shprehur shqetësim serioz për situatën.

“Sekretari i Mbrojtjes është lidhja kryesore në zinxhirin komandues mes presidentit dhe ushtrisë, duke përfshirë zinxhirin e komandës bërthamore, kur vendimet më të rëndësishme duhet të merren brenda pak minutave”, ka thënë në një deklaratë senatori Tom Cotton.

VIDEO BONUS: Gjendja e shtratit të lumit Erenik në Gjakovë