QKUK

Shtatzënat me drojë se mund të infektohen nga pacientët me COVID-19, Durmishi: S’mund të ndodhë

Një pjesë e repartit të Gjinekologjisë në QKUK është vënë në shërbim të pacientëve me COVID-19.

Por, nga ky vendim janë shqetësuar shtatzënat që janë në spital pasi frikësohen se mund të infektohen bashkë me foshnjat, njofton Klan Kosova.

Mjeku Basri Durmishi nga ky repart thotë se kontakti i pacientëve me COVID-19 dhe atyre të gjinekologjisë është i pamundshëm, pasi për këtë i kanë marrë masat.

“Pacientet kanë pasë të drejtë të ndihen të rrezikuara, por kjo pjesë e gjinekologjisë është i ndarë fizikisht dhe i ka shenjat treguese që janë vetëm pacientët me COVID-19 dhe jo të tjerët. Po ashtu, ashensori sterilizohet menjëherë dhe hyrja e pacientëve është e veçantë nga e tyreve me COVID-19”.

Durmishi në Edicionin Special tregoi për numrin dhe gjendjen e të infektuarve që po trajtohen në këtë pjesë të ndarë për ta.

“Në repartin tonë janë të shtruar 11 pacientë, pesë prej tyre janë të konfirmuar me koronavirus, ndërsa për gjashtë prej tye po i presim rezultatet. Nëntë pacientë janë me oksigjenoterapi, ndërsa një është në gjendje më të rëndë. Kemi kërkuar transfer në mjekësinë intensive sportive, por as atje s’ka vend”.