Shtatorja e Vokrrit përurohet në trevjetorin vdekjes së tij, s’do të ketë park – thotë ministri Çeku

Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pritet të përurohet në trevjetorin e vdekjes së tij më 9 qershor, por pa parkun e parashikuar pranë stadiumit të qytetit në Prishtinë, i cili mban emrin e tij, ka konfirmuar sot ministri i Sportit, Hajrullah Çeku.

Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018.

Shtatorja e tij u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.

Por përveç përfundimit të punës në ndërtimin e shtatores dhe bazamentit të saj pranë stadiumit në kryeqytet, paraku i paraparë për vendosjen e tij nuk është punuar.

I pyetur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës të hënën nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, se kur dhe ku do të përurohet shtatorja e Vokrrit, Çeku tha se beson se do të ndodhë më 9 qershor, në përvjetorin e vdekjes së tij.

“Më datë 9 qershor bëhen tri vjet nda vdekja e legjendës Fadil Vokrri, andaj pyes se a do të përfundojnë punimet deri në këtë kohë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe të vendoset shtatorja që është e gatshme tash e gjashtë muaj?”

Çeku, po ashtu, konfirmoi se parku i paraparë për t’u ndërtuar pranë stadiumit ku do të vendoset shtatorja e Vokrrit, nuk do të bëhet për shkak të hapësirës së pamjaftueshëm dhe kufizimeve nga UEFA.

“Bazamenti është ndërtuar, kanë mbetur vetëm disa detaje përfundimtare. Kam kërkuar shpejtim të punimeve dhe jam besimplotë që shtatorja të jetë gati dhe bashkë ta përurojmë më 9 qershor”, konfirmoi Çeku.

Ai shtoi: “Lidhur me parkun ai nuk mundtë ndërtohet për shkak të kufizimeve hapësinore me stadiumin “Fadil Vokrri. Do të kemi shtatoren e Fadil Vokrrit në pjesën perëndimore të stadiumit por jo edhe parkun. Besoj që ideja fillestare ka qenë shumë e mirë. Unë e kam gjetë bazamentin aty në pjesën perëndimore brenda stadiumit, dhe i dini kufizimet e UEFA-s për fasilitetet përcjellëse. Nëse bëhet parku e humbim mundësinë që të bëjmë kategorinë katër dhe të zhvillojmë lojëra aty. Mund ta bëjmë parkun tjetër kund por aty është e pamundur”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt.

Vetëm ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.