Shtatorja e legjendës Fadil Vokrri pritet të përurohet në fund të tetorit, konfirmon ministrja Dumoshi

Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pritet të përurohet deri në fund të muajit tetor më së largu, dhe të vendoset pranë stadiumit të qytetit në Prishtinë, i cili mban emrin e tij, ka konfirmuar sot ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018.

Për ta nderuar figurën e tij, Ministria e Sportit ka vendosur ta ndërtojë një shtatore, buceta e së cilës u zbuluara në dyvjetorin e vdekjes së tij, më 9 qershor.

E pyetur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, se kur dhe ku do të përurohet shtatorja e Vokrrit, ministrja Dumoshi konfirmoi se ajo ka bërë kërkesë që shtatorja të vendoset pranë stadiumit të qytetit i cili e mban emrin e legjendës në kryeqytet.

Po ashtu, ajo njoftoi se në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë kontraktuese, shtatorja pritet të përfundojë dhe të përurohet deri në fund të muajit tetor.

 “Ministria e Sportit dhe Kulturës ka parashtruar kërkesë që parku dhe shtatorja të vendosen tek stadiumi i kryeqytetit. Finalizimi i shtatores dhe parkut do të bëhet deri në fund të muajit tetor”, ka thënë Dumoshi.

Ndërtimi i shtatores së tij do të kushtojë 49 mijë euro dhe do të jetë 3 metra e gjatë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ai ka lënë pas një Kombëtare e cila është buzë kualifikimit historik në Kampionatin Evropian për herë të parë në historinë e vet katërvjeçare.