Shtatë të lënduar nga aksidenti në Klinë, katër prej tyre në gjendje më të rëndë

Shtatë persona janë lënduar si pasojë e aksidentit që ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Dollc të Klinës.

Zëdhënësi I Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar për Express se katër nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë marrë lëndime trupore. Katër nga ta kanë lëndime më të rënda dhe janë dërguar në Ëmergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, ndërkaq tre të tjerët me lëndime më të lehta janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë, Gashi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur sot në orën 12:19.

“Sot rreth orës 12:19 Policia është njoftuar për një aksident në fshatin Dollc. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kombi dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit, automjetet janë përfshirë nga zjarri”, ka thënë Gashi.