ShSKUK reagon për rastin e mjekut në Vushtrri: Të merren masa urgjente

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë të trajtojë rastin e mjekut njëherit Shef i Repartit të Gjinekologjisë Blerim Feka, i cili në dy video të publikuara shihet teksa përplaset verbalisht me familjarin e një pacienteje. ShSKUK ka kërkuar nga spitali të merren masa urgjente ndaj mjekut konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.

Në reagimin e ShSKUK-së thuhet se mjeku ka komunikuar me arrogancë me palët, anipse ShSKUK ka kërkuar “nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme”.

Reagimi i tyre i plotë:

Në lidhje me videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku në komunikim me familjarët e pacientëve është i përfshirë një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, i cili komunikon me arrogancë me palët, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se ka kërkuar urgjentisht nga menaxhmenti i Spitalit  të Vushtrrisë, të  trajtojë rastin  dhe të merren masa  urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.

ShSKUK, në vazhdimësi përmes shkresave dhe Qarkoreve Informative, ka kërkuar nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme.