ShSKUK nuk u ofron shërim, rreth 1 mijë pacientë kërkojnë trajtim shëndetësor jashtë vendit

Edhe në vitin 2022 rreth 1 mijë pacientë kosovarë nuk gjetën shërim në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, prandaj u detyruan që të kërkojnë mbështetje financiare nga shteti për trajtim mjekësor jashtë vendit. Ata që vuajnë nga sëmundje malinje vazhdojnë të jenë pacientët të cilët më së shumti iu deshtë që të kërkojnë ilaç në spitalet jashtë vendit, kryesisht në Turqi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri ka thënë se në pamundësi që klinikat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, të ofrojnë shërbime për diagnoza të ndryshme edhe vitin e kaluar, pacientët kosovarë kërkuan mbështetje për shërim jashtë vendit.

“Në bazë të dhënave, numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë apo trajtim jashtë vendit sillet rreth 1 mijë, klinikat nuk mund t’i veçojmë sepse secila klinik i ka specifikat e veta. Mirëpo, diagnozat më të shpeshta apo sëmundjet të cilat i përkrah programi për trajtim jashtë vendit, kanë qenë sëmundjet malinje të cilat e kanë një kosto bajagi të lartë dhe mundësitë e Kosovës si shtet për t’i trajtuar dhe ofruar ato diagnoza, nuk ekziston dhe kryesisht kjo lloj sëmundje ose është përkrahur për trajtim jashtë vendit… Derisa shteti është në pamundësi për të ofruar zgjidhje për këto diagnoza, atëherë e vetmja zgjidhje është trajtimi jashtë vendit”, theksoi ai.

Sipas u.d të drejtorit të Fondit, 5 milionë euro janë shpenzuar për trajtim jashtë vendit, ku këto mjete kryesisht po shkojnë në drejtim të spitaleve turke.

Kaçuri ka shtuar se nga gushti kur ka ardhur në pozitën e udhëheqësit të këtij institucioni, ka një trend të referimit në numër më të madh të rasteve të rregullta se sa të atyre urgjente, siç ishte më herët.

“Mbi 5 milionë janë shpenzuar, jemi në procedurë edhe të pagesave të disa lëndëve, por lëndët të cilat i kemi trashëguar janë në proces të riverifikimit… (Turqia) ka dominuar, mirëpo nga marrja e detyrës së drejtorit të Fondit, kam dërguar tek drejtorët e klinikave që asnjë lëndë apo aplikacion në referim për trajtim jashtë vendit nuk do të aprovohet i cili është jashtë listës së diagnozave dhe i cili është pjesë e udhëzimit administrativ. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe bordi për trajtim jashtë vendit dhe është vërejtur një dukuri se në të kaluarën rastet urgjente kanë qenë më të shpeshta, por pas dërgimit të këtij njoftimi ka ndryshuar trendi tash është rritur kërkesa për trajtime të rregullta. Ndërsa, ka rënë kërkesa për trajtime emergjente, ndoshta kjo duhet të trajtohet dhe të kërkohet përgjigje edhe nga klinikat dhe mendime konzilare, të cilat i kanë referuar rastet si të rregullta apo emergjente dhe të hulumtohet se pse ka ndërruar ky trend i referimeve”, deklaroi Kaçuri.

E në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës e shohin tejet shqetësues faktin që pacientët në Kosovë, vazhdojnë të bredhin spitaleve private brenda dhe jashtë vendit për të kërkuar shërbim, pasi institucionet publike shëndetësore nuk po u ofrojnë trajtim.

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra thotë se shteti i Kosovës e ka obligim t’u garantojë shërbime shëndetësore qytetarëve të saj.

Kodra thotë se lista e pacientëve që presin për të marrë mbështetje nga shteti për t’u trajtuar jashtë vendit është shumë e gjatë.

“Lista e pritjes është shumë e gjatë, aty përveç rasteve që janë urgjente, madje edhe rastet tash kanë vështirësi për shkak se shteti turk nuk po i pranon më ato fletëzotime, rastet e tjera që janë selektive, shkojnë kohë shumë të gjatë për shkak se Fondi është i zhytur në borxhe dhe nuk mund të vazhdoj të hyj në borxh edhe më tutje pacientëve… Në kushte normale Fondet e Sigurimeve Shëndetësore bëjnë marrëveshje me institucionet spitalore për shkak se ajo marrëveshje garanton çmim më të ulët dhe siguri për pacientët, qytetarët tanë nuk kanë siguri gjatë trajtimit në spitalet tjera për shkak se shteti nuk ka asnjë lloj kompetence të mbikëqyrë trajtimin e tij, përveç se e paguan atë pjesën e parave që do ta paguaj asnjë lloj kompetence nuk e ka”, theksoi ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj theksoi se programi për trajtime mjekësore jashtë institucioneve publike, ka probleme enorme.

Sipas tij, ka një tendencë për t’u mbuluar dështimet që po ndodhin në këtë institucion.

“Problemet që janë aty tash, janë më tepër janë enorme, por tendenca për t’i fshehur dhe mbuluar problemet dhe dështimet është më e rrezikshme sesa për t’u marrë me zgjidhjen e këtyre problemeve, asnjë hallkë llogaridhënëse nuk i përgjigjet njëra-tjetrës dhe kjo është ajo që po e shohim dhe fatkeqësisht po e vuajnë pacientët dhe qytetarët e Kosovës. Edhe në Fond edhe në ShSKUK, brenda MSh por edhe në agjencitë tjera që do të duheshin të konsideroheshin të pavarura në zinxhirin e sektorit të shëndetësisë”, u shpreh ai.

Në vitin 2021, mbi 1 mijë e 100 pacientë të Kosovës, kërkuan mbështetje financiare nga shteti për të marrë shërbim shëndetësor jashtë institucioneve publike, kryesisht drejt atyre jashtë vendit. Po këtë vit përsëri spitalet turke ishin hapësirat ku pacientët kosovarë kërkuan trajtim.