SHSKUK-ja nuk hapi konkurs të ri për drejtor të Infermierisë, zgjodhi ushtrues detyre, paralajmërohet kallxim penal (DOKUMENT)

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka hapur konkurs të ri për pozitën Drejtor i Departamentit të Infermierisë në QKUK, por ka zgjedhur Sami Tahirajn, ushtrues detyre në këtë pozitë.

Ballkani.info mëson se SHSKUK-ja për këtë pozitë kishte hapur konkurs më 19 shkurt të këtij viti dhe më 10 prill kishte përzgjedhur Shpresa Surdullin, drejtoreshë të Departamentit të Infermierisë.

Komisioni Përzgjedhës më 10 prill të këtij viti kishte publikuar rezultuatet e konkursit, sipas të cilave, Shpresa Surdulli kishte dalë e para me 377 pikë, ndonëse në testin me shkrim kishte qenë në pozitën e dytë me 77 pikë. Kandidati i parë në testin me shkrim me 79 pikë, Sami Tahiraj, kishte mbetur në vendin e dytë pas intervistës me gojë me 363 pikë.

Në vendin e tretë ishte renditur Ardian Gashi me 346.5 pikë, Bekim Sejdiu në vendin e katërt me 345 pikë dhe Abdullah Gruda në vendin e pestë me 344.5 pikë.

Vjollca Jusufi ishte vlerësuar në vendin e gjashtë me 344 pikë, Luljeta Musliu në vendin e shtatë me 339 pikë aq sa ka edhe Qemajl Krasniqi në vendin e tetë, ndërsa Ferat Kabashi ishte i fundit me 325 pikë.

Por vendimi për zgjedhjen e Surdullit ishte anuluar nga Inspektorati i Punës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pas ankesës së Visar Rrecajt, avokatit të Ferat Kabashit, ky i fundit ishte kandidat për këtë pozitë.

Kabashi pas zgjedhjes së Surdullit ishte ankuar te Komsioni i Ankesave i QKUK-së se Komisoni Përzgjedhës i QKUK-së kishte bërë shkelje ligjore me zgjedhjen e Shpresa Surdullit drejtoreshë të Infermierisë, pasi kjo e fundit nuk kishte faktuar përvojën së paku 2 vjeçare të saj në fushën e menaxhimit infermieror, që ishte një nga kushtet e kërkuara në konkursin e 19 shkurtit, të publikuar më 20 shkurt.

Por Komsioni i Ankesava më 23 prill e kishte refuzuar ankesën e tij, pasi e kishte vlerësuar si të pa bazë.

Kështu Kabashi më 2 maj i ishte drejtuar Inspektoratit të Punës dhe Mirëqenies sociale
.
Kabashi në ankesën e tij paraqitur Inspektoratit të punës, ka potencuar se kandidatja e përzgjedhur në pozitën e drejtoreshës së Departamentit të Infermierisë, Shpresa Surdulli nuk i plotëson kriteret e konkursit pasi që të njëjtës i mungon përvoja e punës në menaxhim në Infermieri, andaj punëdhënësi me rastin e përzgjedhjes ka cenuar njërin ndër kriteret bazë të konkursit.

Ballkani.info ka siguruar vendimin e Inspektoratit të Punës, i cili lidhur me shqyrtimin e ankesës së Kabashit ka vlerësuar se zgjedhja e Surdullit është shkelje e dispozitave të nenit 8 paragrafi 2 i Ligjit 03/L – 212 të punës, dispozitë kjo e cila përcakton se Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashikohet me këtë ligj dhe aktet e tjera në fuqi, ndërsa komisoni përzgjedhës me përzgjedhjen e kandidates, e cila nuk e ka plotësuar kriterin e përvojës së punës, ka cenuar dispozitën në fjalë.

Kështu më 25 korrik Inspektorati i Punës mori vendim që të anulohet vendimi i Komisionit të Ankesave të Punëdhënësit, i datës 23 prill, i cili e refuzoi ankesën e Ferat Kabashit, duke e vlerësuar si të pa bazë. Inspektorati i Punës gjithashtu me vendim, anuloi konkursin e 19 shkurtit për pozitën e punës Drejtor i Departamentit të Infermierisë në QKUK.

Avokati i Ferat Kabashit, Visar Rrecja ka treguar se si ka shkuar ky proces.

“Kandidat për këtë konkurs ka qenë edhe klienti im, Ferat Kabashi, i cili është vlerësuar me më së paku pikë, edhe pse ka pasur mbi 30 vjet përvojë pune menaxheriale infermierore. Në këtë përzgjedhje është poentu si me më së shumti poena Shpresa Surdulli, mirëpo e njëjta ka pasur mungesë të përvojës së punës. Pas ankesës sonë, Inspektorati i Punës e ka anuluar vendimin për përzgjedhje dhe e ka anuluar komplet konkursin”, tha Rrecaj për Ballkani.info.

Rrecaj gjithashtu njoftoi se QKUK-ja, konkretisht SHSKUK-ja ka emëruar Sami Tahirajn drejtor të Departamentit të Infermierisë, pa një konkurs paraprak.

“Jozyrtarisht kemi mësuar që tani është zgjedhur dikush tjetër drejtor edhe pse QKUK-ja e ka pasur vendimin e Inspektoratit. Dhe sipas ligjit kur të rrëzohet një konkurs, atëherë punëdhënësi është i obligum që të shpallë konkurs të ri për të njëjtat pozita”, tha avokati Rrecaj.

Për emërimin e Tahirajt në pozitën e drejtorit të Departamentit të Infermierisë, njoftoi edhe një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin “Infermierët e Kosovës”.

“Sami Tahiraj zgjedhet drejtor i Infermierëve të QKUK-së. Gazeta jonë i uron shëndet dhe punë të mbarë”, njofton kjo faqe.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e QKUK-së, për të kuptuar nëse ky institucion kishte shpallur konkurs tjetër para përzgjedhjes së Sami Tahirit drejtor të Infermierisë.

“Zyra për informim në QKUK, ju njofton se pas Vendimit të Inspektoratit të Punës, është anuluar konkursi për pozitën drejtor i Infemierisë në QKUK. Pas anulimit drejtori i përgjithshëm, konform legjislacionit në fuqi ka caktuar një ud. (ushtrues detyre) drejtor të infermierisë deri në rishpalljen e konkursit”, tha Shpend Fazliu, zëdhënësi i QKUK-së.

Por zgjedhjen e Sami Tahirajt ushtrues detyre, avokati Rrecaj e konsideron shkelje të udhëzimit administrativ (MPMS) NR.07/2017 Për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

Në pikën 4 të nenit 6 të këtij udhëzimi administrativ thuhet se pas dështimit të një konkursi punëdhënësi ( në këtë rast SHSKUK-ja) duhet të shpallë konkurs të ri brenda afatit tetë ditësh nga dita e dështimit të konkursit.

Duke u bazuar në këtë nen, SHSKUK-ja do të duhej ta shpallte konkursin e ri për Drejtor të Departamentit të Infermierisë, më 31 korrik, 8 ditë pas nxjerrjes së vendimit të Inpektoratit më 25 korrik, i cili anulon këtë konkurs.

Rrecaj gjithashtu tha se Komisoni përzgjedhës për këtë pozitë nuk ka pasur mandat të zgjedhë një ushtrues detyre, pasi mandati i tij përfundon në momentin kur shpallet rezultati i konkursit. Që i bie se mandati i tij ka përfunduar më 10 prill, kur zgjodhi Shpresa Surdullin në këtë pozitë.

“Sipas udhëzimit administrative, komisoni i cili është përgjegjës për një konkurs në momentin që e publikon emrin e fituesit të konkursit për një pozitë të caktuar, pushon kompetenca e tij. Pra, kush e zgjodhi tash ushtruesin e detyrës? Nuk mundet me u zgjedh pa konkurs, ky vend mundet me u mbulu vetëm me konkurs. Kjo është edhe vepër penale, pasi që i ka cenuar të drejtat në punësim, është e përkufizume edhe në Kodin Penal të Kosovës. Ajo pozitë duhet të jetë e lirë dhe të hapet konkurs i ri, kush e fiton, e fiton”, tha Rrecaj.

Avokati Rrecaj paralajmëroi kallxim penal ndaj Komisionit përzgjedhës dhe drejtorit të QKUK-së.

“Së bashku me klientin tim z. Ferat Kabashi duke parë mosveprimin e QKUK-së, sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, jemi duke shqyrtuar edhe paraqitjen e Kallximit penal ndaj antarëve të komisionit përzgjedhës në proces të konkursit, si dhe ndaj Drejtorit të QKUK-së në drejtim të veprës penale nga neni 222 dhe 422 i Kodit Penal të Kosovës”, potencoi Rrecaj për Ballkani.info.

Ballkani.info ka provuar të kontaktojë edhe me departamentin ligjor në Inspektoratin e Punës pranë Minsitrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe ka dërguar pyetje në e-mail të drejtoreshës së këtij departamenti, Minire Begajt, por nuk ka marr asnjë përgjigje as pas një jave. /Donjeta Murselaj – Ballkani.info/

loading…