Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) është furnizuar me mbi 100 litra gaz medicinal (inhalim) dhe me 875 kilogram dioksid të karbonit (CO2), sipas një kontrate të prokurimit publik të nënshkruar të hënën.

Në gjendjen e shpallur emergjente të shëndetësisë publike në Kosovë, ShSKUK ka ndjekur procedura të përshpejtuara të prokurimit publik për t’u furnizuar me gaz medicinal.

Hapja e tenderëve për këtë kontratë është bërë më 11 mars sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Në kontratën e vlefshme 320.957,00 euro, të titulluar: “Gazra medicinale për nevojat e SHSKUK-së”, Spitalor i Kosovës do të furnizohet nga sot me 104 mijë litra gaz medicinal (inhalim) dhe 825 kilogram të dioksidit të karbonit.

Fituese e kontratës është përzgjedhur kompania private NTP “Medica”, e cila do ta furnizojë ShSKUK-në me gaz medicinal dhe dioksid karboni për tre muajt e ardhshëm.

“Kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 3 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi. Kohëzgjatja e kësaj kontrate do te jete për 3 muaj, me mundësi te ndërprerjes ne rast se nënshkruhet kontrata e procedurës se rregullt”, thuhet në dosjen e tenderit.

Sipas kësaj dosje, ShSKUK do të furnizohet edhe me inhalim për përdorim në menaxhimin e hipoksisë, në sasi prej rreth 60 mijë kilogram.

Pas regjistrimit të rasteve të para me koronavirus (COVID-19) në Klinë dhe Viti, autoritetet lokale të të dy komunave kanë kërkuar ndihmë të menjëhershme me materiale nga Ministria e Shëndetësisë.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Klinë pranoi të shtunën materialet e para nga Ministria e Shëndetësisë për përballimin e situatës nga shfaqja e rasteve të para virusin korona në këtë komunë.

Por, me nënshkrimin e kësaj kontrate nga ShSKUK dhe firma private “Medica”, pritet që spitalet e përgjithshme dhe QKMF-të të furnizohen me gaz medicinal, i cili nevojitet për trajtimin e pacientëve të prekur nga koronavirusi. /Insajderi.com