SHSKUK del me një njoftim, thotë se kanë kursyer mbi 7.5 milionë euro në tre shërbime

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka dal me një njoftim ku thuhet se ka kursyer mbi 7.5 milionë euro në tre shërbime të ndryshme.

Sipas SHSKUK këto para janë kursyer në shërbimin e oksigjenit medicinal, në brachiterapinë në Klinikën e Onkologjisë si dhe në Klinikën e Syve.

“Me vendosjen e rezervoarëve të oksigjenit gjatë fundvitit 2020 dhe vitit 2021, ShSKUK ka arritur që të kursejë mbi 5.5 milion Euro në shpenzimet e oksigjenit. Sqarim: Gjatë vitit 2021 dhe tremujorin e parë 2022 ShSKUKK shpenzoi 2.719.655’ 00 L Oksigjen të lëngshëm, që në vlerë financiare ShSKUK-së i kushtoi 1.146.929’ 37 Euro. Nëse ShSKUK do të vazhdonte të furnizohej me oksigjen të gazët (me bombola) kjo do t’i kushtonte ShSKUK-së mbi 6,6 milion Euro”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

“Fillimi i shërbimeve të brachiterapisë në Kosovë, përveç shërbimeve cilësore që ofrohen për pacientet kosovarë, ka edhe kursim të konsiderueshëm financiar për buxhetin e Kosovës, pasi për këto shërbime pacientet janë dërguar jashtë Kosovës dhe një seancë ka kushtuar mesatarisht rreth 1,100 €”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

“Mbi 1,5 milion Euro më pak referime jashtë vendit nga Klinika e Syve në vitin 2021. Në Klinikën e Syve numri i pacientëve për referim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (JISHP) është zvogëluar në masë të madhe, nga rreth 500 pacientë sa ishin referuar në vitin 2019 për TJISHP, ky numër në vitin 2021 ka rënë në më pak se 100 pacientë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.