Shqiptari që komunikoi me Grenellin: Nga Washingtoni s’pritej marrëveshje për ta ndarë Kosovën

Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në SHBA Martin Vulaj, që është afër komunikimit me administratën amerikane, është shprehur i bindur se dështimi i dialogut shkon në favor të Serbisë.

“Platoni ka thënë që ‘Padrejtësia më e madhe është ajo që bëhet në emër të drejtësisë’ dhe këta tani në emër të drejtësisë në Kosovë po bëjnë një padrejtësi mbi Kosovën. Vetëm duhet ta shohim se kush përfiton dhe kush humb nga dështimi i dialogut. Pala humbëse pa dyshim që është Kosova dhe njëkohësisht edhe Amerika, si sponsor i saj. Ata që ne i kemi kundërshtarë kryesorë përfitojnë dhe dihet në interes të kujt shkon kjo”.

A do ta lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Kosova të dalë humbëse nga ky dialog, apo do ta ringrisin në këmbë këtë proces që tashmë duket se është kthyer disa hapa prapa?

“Fillimisht do të thoja që dialogu nuk është në pikën zero. Kjo varet nga dy gjëra: nga konsolidimi i faktorit kosovar menjëherë dhe reagimi i tyre në mënyrë aktive dhe të qartë se cila është kërkesa e tyre – duke insistuar në një ricaktim të bisedimeve. Faktori i dytë nga çka varet është se si do të shkojë ky takim mes [Richard] Grenellit dhe presidentit”.

Vulaj në një rrëfim ekskluziv në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur i bindur se qasja amerikane karshi Kosovës nuk do të ndryshojë edhe nëse potencialisht do të ketë ndërrim të presidentit – nga zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Politika amerikane ndaj Kosovës është politikë që bazohet në interesat strategjike kombëtare të tyre. Interes strategjik kombëtar në këtë rast është përfundimi i rrjetës së NATO-s në atë zonë dhe pa Kosovën në NATO nuk mund të përfundojë. Kemi parë konsistencë të kësaj politike nga të gjitha administratat në 20 vjetët e fundit pa dallim nga cila parti. Kemi parë ndryshime në dinamikën e tyre, por kurrë s’ka ndryshuar qasja e interesit të tyre kështu që nuk pres asnjë ndryshim edhe nëse fiton Joe Biden. Interesi i Amerikës do të jetë i njëjtë”.

Vulaj që ka qenë në komunikim me Emisarin Special të presidentit amerikan për dialogun Richard Grenell ka treguar se çfarë marrëveshje e mundshme Kosovë-Serbi mund të pritej nga takimi i 27 qershorit.

“Është më me rëndësi se çka nuk ishte marrëveshja sesa çka ishte. Nuk ishte marrëveshje e shpejtë dhe politike për ta ndarë Kosovën, bile ishte fillim i procesit që nuk do të mbaronte edhe për një kohë të gjatë me integrimin e europiaëve në proces duke krijuar hapësirën ekonomike për marrëveshje politike mbështetur me investime për stabilizim të rajonit edhe ekonomiksht edhe politikisht. Ky ka qenë vizioni dhe është vizioni amerikan”.

“Ka pasë spekulime që administrata e Donald Trump do ta bëjë marrëveshje të shpejtë që ta shfrytëzojë për marketing për fushatën e tyre. Çdokush që banon këtu e di që edhe nëse është marrëveshje më e shkëlqyeshme me mbështetjen e gjithë botës nuk do të kishte ndikim as 0.00001 për qind në fushatën, sepse askush nuk brengoset për Kosovën. Nuk është çështje fare në debat, por as në periferinë më ekstreme të debatit”.

“Ka qenë qëllimi që të ketë marrëveshje ekonomike, si për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Europën përmes Serbisë në mënyrë që të krijohet hapësirë për tregti dhe krijimin e vendeve të punës për rininë që ata të mos largohen nga vendi i tyre. Ky ka qenë një fillim procesi dhe jo një fund”.

Vulaj ka thënë se administrata amerikane është e frustruar ndaj Europës për qasjen e tyre ndaj Kosovës për çështjen e vizave.

“[Richard] Grenell më ka thënë që ka biseduar me kancelaren gjermane Angela Merkel që të mbarojë ky kapitull i vizave për Kosovën, dhe që ajo ka pohuar që do të punojë dhe do të realizohet një gjë e tillë”.