Shqipëria vazhdon “grabitjen” e lojtarëve kosovarë, tani e “do” Ardian Ismajlajn

Në mungesë të talenteve të tyre vendor, Shqipëria është duke vazhduar gjuetinë në lojtarët e rinj të Kosovës, sidomos ata të U21.

Pasi e mori Kastriot Dërmakun, i cili ishte në listë për ndeshjen me Azerbajxhanin dhe u largua për të luajtur për Shqipërinë, pasi që u ftuan nga Panucci në tetor, Shqipëria tani i është vënë në gjah mbrojtësit dhe kapitenit të Kosova U21, Ardian Ismajlaj.

Sipas mediave shqiptare, Ismajli është pajisur sot me pasaportë shqiptare nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe trajneri i Kombëtares, Christian Panucci parashikon që ta fton atë në ndeshjen e Nations League me Skocinë dhe për miqësoren me Wales.

Ardian Ismajli ka luajtur për Kombëtaren A të Kosovës në miqësoren kundër Shqipërisë, të cilën ndeshje Shqipëria e humbi me rezultat të thellë 3-0.

Por, sipas rregullores së UEFA’së, lojtarët që angazhohen në miqësore, bëhen të një Kombëtareje vetëm atëherë kur luajnë në një ndeshje zyrtare.

Ismajlaj, ndeshjet zyrtare nuk është ftuar për Kombëtaren A të Kosovës, për shkak së Kosova U21 ishte shumë afër për t’u kualifikuar në Euro 2019 të kësaj grup moshe, por duket se lojtari ka dashur që Challandes ta fton atë edhe në Kombëtaren A.

Ndoshta kjo mos-ftesë ka bërë që ai të mendojë tani për të luajtur për Shqipërinë.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria, edhe pas pranimit të Kosovës në UEFA, vazhdon të grabisë lojtarë të Kosovës, duke u thirrë në atë se ata janë shqiptarë dhe mund të luajnë për Shqipërinë.

Deri me tani ata kanë marrë Eros Grezdën, Kastriot Dërmakun dhe tani është duke tentuar ta bëj këtë edhe me Ardian Ismajlin.

Ende nuk dihet vendimi i Ismajlit për këtë, pasi që para miqësores me Shqipërinë, ai kishte dalë hapur duke thënë fjalë të mëdha për Kosovën dhe përfaqësuesen e saj.

Shqipëria nuk është duke prodhuar aq sa duhet lojtarë nga Akademitë e tyre të futbollit, derisa është e kundërta me Kosovën, e cila ka pasur sukses të konsiderueshëm në të gjitha garat e grupmoshave, si ato U17, U19 dhe U21.

Madje Kosova është afër për tu kualifikuar në Euro 2019 për grupmoshat U17, derisa i duhet një barazim me Qipron apo fitore që të arrijë për herë të parë në këtë garë.

Më herët Kosova U19, kishte arritur në grupe të Elite Round, një sukses i madh ky pasi që Kosova ka vetëm dy vite që është anëtarësuar në UEFA.