Shqipëria pëson humbje të thellë 5:1 kundër Greqisë

Tjetër rezultat zhgënjyes për përfaqësueset e moshave në paraeliminatoret e Europianit. Pas disfatës 4-0 të Shqipërisë U-17 ndaj Portugalisë, radha e dështimit ishte për U-19, që u mposht thellë 5-1 nga Greqia.

Kuqezinjtë 19-vjeçarë, të drejtuar nga Nevil Dede, u ndëshkuan që në minutën e 13-të nga Tzimas, gjithsesi gjatë fraksionit të parë nuk pësuan tjetër gol, duke mbajtur të hapur mundësinë për të shmangur humbjen.

Në pjesën e dytë Greqia U-19 realizoi edhe tre gola të tjerë të njëpasnjëshëm me Vagiannidis (59’), Vrakas (72’) dhe Liavas (85’), para se Dobra të ngushtonte përkohësisht rezultatin në 4-1.

Gjithsesi, në minutat e fundit fqinjët tanë shënuan edhe golin e pestë me Athanasakopoulos (88’) për rezultatin përfundimtar 5-1.