Shqipëria paralajmëron aplikimin e “Testit të idiotit” për shoferët e papërgjegjshëm

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj në një tryezë ku u diskutuan shkaqe e numrit të madh të aksidenteve, ka paralajmëruar aplikimin e të ashtuquajturit “Test i idiotit”.

Në fjalën e tij, Lleshaj tha se drejtuesit e automjeteve që nuk sillen në përputhje me normat ligjore dhe normat e sjelljes në rrugë, do të duhet t’i nënshtrohen edhe një testi psikologjik.

“Testi i Idiotit” bëhet rëndom kur dikush sillet në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë. Dhe duhet të provojë se është stabil në sjellje në mënyrë që të vijojë të drejtojë automjetin” tha ministri, raporton Scan, transmeton Koha.net.

Ky test bazohet në modelin gjerman dhe aplikohet për shkelje të rënda. Testimi mjeko-psikologjik zakonisht aplikohet te ata që kapen të dehur ose nën përdorimin e drogës, teksa ngasin makinën.

Por, nuk janë vetëm këto arsye. Nëse ju parkoni rregullisht makinën në të njëjtin vend, edhe pse parkingu aty është i ndaluar, policia mund të të detyrojë që të bësh testin.