Shqipëria një prej vendeve më të varfra në Evropë, ja ku renditet Kosova

Shqipëria vazhdon të mbetet një prej vendeve më të varfra të Evropës, e dëshmuar edhe nga statistikat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale tetor 2019” e të cituara nga revista Monitor.

Shifrat e FMN-së tregojnë se të ardhurat e pritshme për frymë të shqiptarëve ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithsej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj.

Shqipëria është ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat në Evropë dhe pas saj në renditje vjen vetëm Kosova me 4,442 dollarë për frymë, e pozicionuar në vendin e 111-të dhe shtete të ish-Bashkimit Sovjetik si Ukraina që renditet e 125-ta dhe Moldavia në vendin e 128.

Nga shtetet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi që radhitet i 78-ti në listë, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë, ose 62% më të larta se të shqiptarëve. Pason Serbia, në vend të 87, Maqedonia e Veriut në vendin e 95-të dhe Bosnja në vendin e 97-të.

Të dhënat e FMN-së, sipas të njëjtës revistë, referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar në vend të 102, në një tregues që rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve, apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj sipas të ashtuquajturit proces i konvergjencës, ku vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, në mënyrë që të kapin mesataren e Bashkimit Evropian.

Sot, vendet e BE-së kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë, ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN.

loading…