Tanzer Abazi

Shqipëria nën llupën e hakerëve, eksperti i kibernetikës jep alarmin: Kosova është më e cenuar ndaj sulmeve të tilla

Hakerët kanë filluar të jenë sërish në aksion duke sulmuar institucione të ndryshme dhe duke marrë të dhëna të rëndësishme.

Një rast i fundit ndodhi në Shqipëri, ku hakerët iranianë të njohur si “Homeland Justice” hakuan faqen e Parlamentit të Shqipërisë dhe kompanisë telefonike “OneAlbania”

Lidhur me këtë sulm ka folur për Telegrafin eksperti i kibernetikës, Tanzer Abazi. Abazi ka treguar se sikurse Shqipëria, edhe Kosova nuk është e përjashtuar nga këto rreziqe.

Ai ka shtuar se institucionet më të rrezikuara ndaj këtyre sulmeve kibernetike mund të jenë Qeveria dhe institucionet publike, financiare e kritike.

“Kosova, si një shtet me një infrastrukturë të zhvilluar të teknologjisë informative dhe komunikative (TIK), nuk është përjashtim nga këto rreziqe. Disa nga institucionet që mund të jenë më të rrezikuara janë

Qeveria dhe institucionet publike: Sulmet kibernetike mund të synojnë të ndikojnë në funksionimin e qeverisë, duke përfshirë rrjetin e e-qeverisë, sistemet financiare dhe të tjera.

Institucionet financiare: Bankat dhe institucionet tjera financiare janë të rrezikuara për shkak të ndikimit që sulmet mund të kenë në sistemet e pagesave dhe financiare.

Infrastruktura kritike: Rrjeti i energjisë elektrike, telekomi, shërbimet e ujësjellësit, dhe të tjera janë pjesë e infrastrukturës kritike dhe mund të jenë të rrezikuara nga sulmet që kanë ndikim në këto sektorë”, ka thënë Abazi.

Ai nuk ka përjashtuar nga rreziku i sulmeve kibernetike nga hakerët edhe sistemet shëndetësore.

“Sistemet shëndetësore: Sulmet në sistemet shëndetësore mund të ndikojnë në funksionimin e spitaleve, sistemet e dosjeve mjekësore, dhe mund të sjellin pasoja serioze për shëndetin publik. Është e rëndësishme për Kosovën të përgatitet dhe të marrë masa për të parandaluar dhe trajtuar sulmet kibernetike”, u shpreh Abazi për Telegrafin.

Eksperti i kibernetikës theksoi se Kosova në dy vitet e fundit karahas Shqipërisë ka investuar shumë më pak në këtë fushë.

“Kosova këtë vit ka aprovuar Ligjin për Siguri Kibernetike por përveç kontrolleve administrative (Ligje, Udhëzime, Strategji) nuk ka ndërmarrë asnjë kontroll teknike që kërkohen me ligje. Ende nuk ka ngritur institucionin apo Agjencinë për Siguri Kibernetike të paraparë me ligj, pra jemi më të cenuar se Shqipëria”, tha Abazi.

Sa i përket sulmit kibernetik që ndodhi në Shqipëri, Abazi shtoi se shteti shqiptar është nën një këndvështrim dhe presion të vazhdueshëm të sulmeve digjitale për dy vite të fundit nga një armik i fuqishëm dhe i përgatitur kibernetik i njohur si ‘Homeland Justice’.[AI] Code for block 2 InArticle Mobile Tablet, Phone C=3 N=3[/AI]

“Edhe pse ka pasur pjesërisht investime në mbrojtjen e infrastrukturës kritike për e-qeverisjen, duhet te jemi të vetëdijshëm që një pjesë e kësaj infrastrukture përfshin edhe rrjetin e energjisë elektrike, telekomin, ujësjellësin, dhe disa të tjera. Në ditët e fundit, një kompani telekomunikacioni në Shqipëri, OneAlbania, është sulmuar, duke çuar në zhbllokimin e uebfaqes dhe aplikacionit mobil My One. Hakerët që ndodhen pas këtij sulmi pretenduan se kanë fshirë 2 petabajt të dhënash dhe kanë fituar qasje në sistemin e virtualizimit të kësaj kompanie”, tha Abazi.

Eksperti i kibernetikës tutje shtoi se është e rëndësishme të theksohet se komunikimi është një aspekt kritik i funksionimit të shoqërisë moderne, dhe të dhënat që operatoret e telekomit përpunojnë shpesh janë kritike për qytetarët dhe përdoruesit e këtij operatori.

“Ky sulm mund të sjellë pasoja të rënda për sigurinë e të dhënave personale dhe për funksionimin e shërbimeve të telekomunikacionit në Shqipëri. Ndërhyrjet e tilla kibernetike theksojnë nevojën për një përgatitje më të madhe dhe përmasa më të fuqishme në mbrojtje kibernetike. Autoritetet dhe kompanitë duhet të marrin masa të menjëhershme për rivendosjen e sigurisë dhe për hetimin e këtij sulmi në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i mëtejshëm dhe të zbulohen autorët e sulmit”, tha Abazi.

VIDEO BONUS: Për çfarë po proteston opozita në Serbi?