Gjuha Shqipe

Shqipëria në Vitin e Gjuhës me plan veprimi për ruajtjen e shqipes

Ministria e Arsimit dhe Sporteve po përgatitë një plan veprimi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Vitin e Gjuhës me fokus ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, duke nisur nga mësuesit dhe nxënësit e gjithë sistemit arsimor.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në takimin e zhvilluar në Akademinë e Shkencave me studiues të gjuhës shqipe të Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe anëtarë të Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe letërsisë pranë Akademisë së Shkencave.

“Ne kemi nevojë që të intensifikojmë përpjekjet për fuqizuar mësimdhënien për sa i përket gjuhës shqipe. Kjo duke filluar që në parashkollor dhe duke vijuar edhe në parauniversitar e më tej edhe në universitete”, ka thënë ministrja Manastirliu.

“Në këtë vit do të intensifikojmë përpjekjet tona për të ruajtur, mbrojtur, dhe promovuar gjuhën shqipe, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, me një theks të veçantë në kontributin e vlerësuar të diasporës shqiptare. Ministria është e përkushtuar në intensifikimin e përpjekjeve në drejtim të fuqizimit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, duke filluar që nga parashkollorët deri te niveli universitar”.

Ajo ka kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Akademisë së Shkencave me institucionet arsimore, duke angazhuar studiuesit e gjuhës shqipe për të kontribuar në këtë mision të përbashkët.

Ndërsa Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka thënë se është e domosdoshme puna e përbashkët.

“Ta shfrytëzojnë këtë vit për të rimarrë të gjitha problemet që lidhen me gjuhën dhe për të vendosur pastaj një bashkëpunim sa më të mirë institucional, midis katër komponentëve: Instituteve, Akademisë, Shkollave të larta dhe Ministrisë për të garantuar që gjuha shqipe të jetë në standardet më të larta”, ka thënë akademik Gjinushi.

VIDEO BONUS: Kurti: Destruktiviteti i Beogradit nuk duhet të përkthehet në ngadalësim të procesit të integrimit