Shqipëria, ndër vendet që ndot më shumë Mesdheun me plastikë

Shqipëria është një ndër tre shtetet që shkakton më shumë ndotje në Mesdhe nga plastika, së bashku me Egjiptin dhe Malin e Zi, sipas një raporti të fundit të Fondit Botëror për Natyrën (WWF).

Të tre këto shtete derdhin në natyrë më shumë se 20 kg plastikë për person, duke u ngjyrosur me blu të thellë në hartën e publikuar nga WWF.

Shqipëria renditet edhe ndër vendet që keqmenaxhojnë pjesën më të madhe të mbetjeve (73%). Në krye qëndron Mali i Zi ((95%), Egjipti (93%), dhe pas Shqipërisë, Libia (64%).

Vendi ynë ka dhe ndër përqindjet më të ulëta të riciklimit të plastikës, me vetëm rreth 5% të mbetjeve të ricikluara, transmeton “Monitor”.

Raporti

Nëntë vija bregdetare janë identifikuar si vendet më të ndotura me plastikë në Mesdhe, thotë raporti. Ato përfshijnë zona të mëdha turistike si Barcelona, Marseja, Tel Aviv dhe bregu i Venecias pranë lumit Po.

Raporti i Fondit Botëror për Natyrën (WWF) tha se të gjitha vendet e Mesdheut nuk kanë arritur të menaxhojnë ndotjen plastike.

Sipas tij, 570,000 tonë plastikë derdhen në det çdo vit – ekuivalenti i 33,800 shisheve plastike çdo minutë.

Grupi për mbrojtjen e natyrës u bën thirrje të forta qeverive dhe BE-së për të reduktuar prodhimin e plastikës dhe për të rritur riciklimin.

“Sistemi ynë i menaxhimit të plastikës nuk funksionon – të gjitha vendet e Mesdheut ende nuk arrijnë të mbledhin të gjitha mbeturinat e tyre”, tha Giuseppe Di Carlo, drejtor i Iniciativës Mesdhetare Detare të WWF.

Prodhimi i plastikës është shumë i lirë, ndërsa menaxhimi i saj dhe kostot e ndotjes shkarkohen kryesisht në shoqëri dhe natyrë. Të gjitha vendet duhet të rishikojnë zinxhirin e tyre të furnizimit … Kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur plastikën larg nga Deti Mesdhe “.

Sipas WWF, vija bregdetare e Cilicisë në Turqinë Juglindore ka ndotjen më të lartë plastike në Mesdhe me 31.3 kg mbeturina për kilometër.

Zonat e tjera të listuara janë:

Barcelona – 26.1 kg

Tel Aviv – 21.0 kg

Delta Po – 18.2 kg

Valencia – 12.9 kg

Aleksandri – 12.7 kg

Algjer – 12,2 kg

Gjiri i Marsejës – 9,4 kg

Izmir – 7.2 kg

Raporti gjithashtu theksoi Egjiptin si burimin më të madh të mbetjeve plastike në Mesdhe, me 0.25 milionë ton në vit, pasuar nga Turqia (0.11 milionë ton), Italia (0.04), Tunizia (0.01)