Shqipëria mbetet pa ambasador të SHBA-ve, Kongresi bllokon kandidaturën e Kavalec

Prej kohësh tashmë Shqipëria është pa një ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sipas gjasave do të qëndrojë edhe për disa kohë e tillë, kjo pasi Kongresi Amerikan ka rikthyer kandidaturën e ambasadores Kathleen Ann Kavalec për pozicionin e ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri.

Nominimi i është rikthyer sërish në zyrë Presidentit Trump, i cili në fund të vitit të kaluar ka patur disa replika me liderin e senatorëve demokratë Chuck Schumer. Sipas Trumpit demokratët në senat kanë kthyer dhjetëra nominime ambasadorësh për arsye ende të paqarta, çka ka sjellë dhe një sërë reagimesh nga shtetet ku nuk ka tashmë ambasadorë të SHBA-ve.

Tashmë mbetet në dorën e Presidentit të SHBA-ve të vendosë nëse do të rikonfirmojë emrin e Kathleen Ann Kavalec për të ardhur në Shqipëri apo kandidimi do të ndryshojë.

Nominimi i Kavalec p[ër t’u bërë ambasadore e SHBA-ve në Tiranë ka shkuar në Senatin Amerikan që më korrik të vitit 2018, por që prej asaj kohe ka mbetur pezull, duke e lënë vendin tonë kësisoj pa një përfaqësues fuqiplotë të SHBA-ve në Shqipëri.

Kandidatura e saj mbeti në shqyrtim nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë dhe nuk kaloi në votim.

Kathleen Ann Kavalec ka një karrierë 30 vjeçare ne diplomaci dhe aktualisht shërben në detyrë si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.