Shqipëria kërkon 500 milionë euro borxh

Buxheti i Shqipërisë do të ndryshojë sërish për herë të katërt brenda këtij viti, pasi qeveria do të rrisë shpenzimet me 11.8 mld lekë, ndërkohë që parashikon të marrë edhe eurobond në vlerën e 500 milionë eurove.

Akti normativ është publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që për emetimin e eurobondit, Ministria e Financave po kërkon një konsulent që të këshillojë dhe udhëheqë daljen në tregjet e kapitalit. Përpos tregut europian, këtë vit po synohen edhe bursat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë po kërkon propozime për këshilltarë ligjorë që do të japin asistencë ligjore gjatë emetimit të eurobondit të pestë. Firmat duhet të ofrojnë ekspertizë në ligjin anglez dhe atë federal të letrave me vlerë në SHBA”, thuhet ne dokument.

Eurobondi i pestë në radhë, pas emetimit të fundit në vitin 2020 në vlerën e 650 milionë euro, me afat shlyerjeje për 7 vjet dhe me interes 3.62%, do të përdoret një pjesë për financimin e nevojave të buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër për të shlyer eurobondin paraardhës.

Parashikimi i bërë fillimisht për daljen në tregjet e huaja ishte viti 2022, por sipas ministrisë, dalja mund të bëhet edhe brenda këtij viti./Euronews Albania