Shqipëri: Këtë verë pritet të rritet numri i turistëve

“Apollo”, agjencia më e madhe turistike nordike, zgjodhi Shqipërinë për të çelur sezonin e saj veror.
Aktiviteti rajonal, që një vit më parë u organizua në Greqi, këtë vit u zhvillua në vendin tonë, nisur edhe nga fakti që vjet për herë të parë u siguruan kontrata për të sjellë në Shqipëri turistët e parë nordikë, që zgjodhën t’i kalonin pushimet e tyre përgjatë bregdetit të Durrësit dhe Kavajës.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili u shpreh optimist për turistët që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij viti turistik që, sipas tij, do të jetë edhe më i suksesshëm se ai 2018.

“Është shumë mirë që ne i themi të gjitha gjërat ashtu siç duhet, haptazi, por që kuptojmë që rritja është me 18% nga viti i kaluar, që përkon me rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve që vijnë në vendin tonë. Në vitin 2018 në Shqipëri kanë shkelur 6 milionë pasaporta të huaja, pra janë 6 milionë vizitorë të huaj gjatë gjithë vitit, ku 13 mijë vizitorë të ardhur nga ‘Apollo’ është një numër i konsiderueshëm, por ky numër tregon edhe tendencën, nga 13 mijë, shkojmë në 18 mijë”, tha ministri Klosi.

Ai po ashtu theksoi se ky tregues duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë me destinacionin tonë dhe se sa e gatshme është shoqëria shqiptare dhe hotelierët të presin me rregulla dhe standarde turistët, që pritet të mbërrijnë këtë vit në vendin tonë, raporton ATSH, përcjell albinfo.ch.

“Konkurrentët vëzhgojnë, analizojnë njëri-tjetrin, luftojnë për tregjet e reja, kërkojnë partneritet me më të mirët dhe mua më vjen shumë mirë që këtu në këtë takim ka hotelierë që na nderojnë me hotelet që kanë bërë, qoftë ‘Fafa Resort’, ‘Prestige’, hotele të tjera që kanë në gjithë bregdetin e zonës së Golemit, Shkëmbit të Kavajës, Durrësit e kanë shndërruar këtë në një destinacion të rëndësishëm. Ne e dimë që kemi problematika me shërbimin, me higjienën, me mosplotësimin e atyre që ne themi me traditën tonë, me afatet, por nuk e harroj historinë e vjetshme kur avionët e ‘Apollos’ mbërritën në Rinas dhe në një nga hotelet ku ata do të vinin, vazhdonin akoma të lyenin, me shpresën se kur të mbërrinin ata në Golem, do të thahej boja. Ata nuk e kuptojnë këtë, por ne kështu jetojmë. Prandaj, ne duhet ta kuptojmë që nëse duam të futemi si destinacion global, si konkurrent me Kroacinë, Greqinë, me Maltën, Qipron, vendet përreth, duhet të bëjmë gjërat sipas kontratës. Kjo është A-ja e biznesit që shqiptarët e kanë pranuar. Ne jemi përditë në sytë e kritikëve dhe është shumë mirë që gjërat thuhen hapur dhe ne përpiqemi të përmirësojmë”, tha ministri Klosi.

“Apollo” është prezente në Shqipëri prej 4 vjetësh, promotore e Shqipërisë si destinacion turistik jo vetëm rajonal, por edhe europian.