Shqipëri/ Forcat e Armatosura angazhohen në shuarjen e zjarreve

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e saj zyrtar në “ Facebook” për situatën e zjarreve që ka kapluar në disa qarqe të vendit.

Ajo ka thënë se  dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar dhe që po punojnë ditë e natë për shuarjen e zjarreve në disa operacione në qarqet  e Fierit, Shkodrës, Vlorës, Tiranës dhe Lezhës.

Ministrja Xhaçka ka vënë në  dukje se flakët janë të shkaktuara nga dora e njeriut më shumë sesa nga temperaturat e larta dhe  kanë prekur sipërfaqe të tëra me pyje e kullota në 8 qarqe të vendit.

“Ligji  për mbrojtjen Civile, të cilin e kemi miratuar një vit më parë e që përben një prej elementëve më të rëndësishëm të reformës në fushën e emergjencave civile, nuk kursen as pushtetin vendor në rast se nuk i përgjigjet situatave të emergjencës,  por as individët që i vënë zjarrin kullotave e pyjeve, duke shkaktuar miliona lekë dëm të pasurisë kombëtare”, ka thënë ministrja e Mbrojtës e Shqipërisë.